Protesta në Prishtinë, Ambasada amerikane këshillon shmangien e sheshit “Skënderbeu”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar një njoftim lidhur me protestën që pritet të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) është paralajmëruar të nisë në orën 12:00, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se tubimi mund të sjellë grumbullim të qytetarëve dhe ndryshime të përkohshme në qarkullimin rrugor në qendër të kryeqytetit.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin sheshin “Skënderbeu” dhe zonat përreth gjatë kohës së protestës, për shkak të mundësisë së mbylljeve të rrugëve dhe pengesave në trafik.
Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që, nëse ndodhen pranë tubimit, të tregojnë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve në terren.
Njoftimi i Ambasadës amerikane është publikuar si “Demonstration Alert” për Prishtinën dhe lidhet me protestat e paralajmëruara për 18 shtator 2026.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin masat e nevojshme për menaxhimin e qarkullimit gjatë protestës.

