Prokuroria Speciale kërkon urdhër gjyqësor për paraqitjen e Kurtit për intervistim

Prokuroria Speciale kërkon urdhër gjyqësor për paraqitjen e Kurtit për intervistim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të paraqitet tek ajo për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, për dyshimet se në rezervat shtetërore ka pasur keqpërdorime, raporton Anadolu.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, duke nënvizuar se kërkesa e Prokurorisë po shqyrtohet aktualisht nga gjykata.

“Kërkesa nga Prokuroria Speciale është pranuar dhe aktualisht është në proces shqyrtimi nga gjykata”, ka thënë Gashi për Anadolu.

Prokuroria Speciale e kishte ftuar më 10 dhjetor 2024 kryeministrin në detyrë për të dhënë dëshmi brenda këtij institucioni më datën 16 dhjetor 2024. Kurti nuk i është përgjigjur kësaj ftese, duke u deklaruar se është i gatshëm të japë dëshmi, por ka theksuar se prokurorët mund ta intervistojnë në zyrën e tij, një praktikë që, sipas tij, është ndjekur edhe më parë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i thirrur si dëshmitar në lëndën që ka të bëjë me veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, apo më konkretisht me rezervat shtetërore, ku janë të përfshirë si të dyshuar një afarist dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Nëse kjo kërkesë e PSRK-së aprovohet nga Gjykata Themelore dhe Kurti nuk shkon në Prokurori, sipas ligjit, atij fillimisht i shqiptohet gjobë e pas kësaj kryeministri edhe mund të paraburgoset.

Kurti deri më tani ka pasur dy thirrje nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar, por, ai këmbëngul që të intervistohet nga prokurorët e Prokurorisë Speciale në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në objektin e Qeverisë së Kosovës.

MARKETING