Prokuroria përshkruan rastin e plagosjes në Shtërpcë, kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit

Prokuroria përshkruan rastin e plagosjes në Shtërpcë, kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit

Prokuroria Thamelore e Ferizajt, pasi ka dhënë detajet rreth plagosjes së dy personave të premten në Shtërpcë, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në njoftim thuhet se, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K., i cili me vendim të Proku​rorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja ne tentativë”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitiv të parë, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 06 janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së.

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur dje në Shtërpcë. Pak orë pas kryerjes së veprës, i dyshuari, A.K, 32-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Më pas, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan. Banorët bllokuan rrugën duke vendosur goma të veturave dhe degë të drunjve. Në orën 22:00 filloi largimi i pengesave.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje. /Telegrafi/

MARKETING