Prezantohet raporti për zbatimin e legjislacionit të Komunitetit Energjetik

Komisioni për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike; Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor dhe Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Mbrojtjen e Natyrës dhe Luftën kundër Ndotjes dhe Ndryshimeve Klimatike mbajtën takim me përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit Energjetik.
Kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, Bojan Stojanoski, informoi se ky është aktivitet i rregullt i drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, i cili një herë në vit viziton parlamentet kombëtare të nëntë vendeve – palë kontraktuese të Komunitetit Energjetik, ku bën prezantim për nivelin e zbatimit të legjislacionit të Komunitetit Energjetik në vendet e tyre.
Kryetari i Komisionit për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Bekim Qoku, apeloi që të merren seriozisht vërejtjet në Raport në përputhje me nevojat e tregut energjetik.
Koordinatori i Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Mbrojtjen e Natyrës dhe Luftën kundër Ndotjes dhe Ndryshimeve Klimatike, Toni Jarevski, raportin e karakterizoi si busull për forcimin e ligjeve që synojnë mbrojtjen e së ardhmes.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Artur Lorkovski, prezantoi Raportin për Zbatimin e Legjislacionit të Komunitetit Energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.
Lorkovski theksoi se është këtu për të parë se ku është aktualisht vendi, i cili është diku në mes, me progres të moderuar, duke theksuar se progresi matet me vëllimin në rritje të punës.
Raporti trajton pesë fusha: Tregu energjetik dhe integrimi; Dekarbonizimi; Siguria e furnizimit; Përmirësimi i mjedisit jetësor; Performancat e organeve kompetente.
Raporti thekson si arritjet kryesore në vitin 2024 se vendi është një nga palët kryesore kontraktuese në zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë; operatori i nominuar i tregut të energjisë elektrike (NEMO) ka përfunduar procedurën e tenderit dhe ka filluar zbatimin e regjistrit për garancitë e origjinës, duke iu bashkëngjitur sistemit rajonal të Komunitetit Energjetik; Është hartuar Ligj i ri për energjetikë, i cili synon të transponojë Pakon e Integrimit të Energjisë Elektrike.
Si udhërrëfyes për periudhën në vijim, thuhet se transponimi i Pakos së Integrimit të Energjisë Elektrike nuk duhet të anulohet. Vendosja e tregut të organizuar për tregtimin brenda ditës dhe sigurimi i lidhjes së tregut duhet të jetë prioritet. Duhet të ketë prioritet transpozimi i rregullativës së reviduar për Rrjetet Trans-Evropiane të Energjisë. Për të përshpejtuar ritmin e grumbullimit të rezervave të naftës për të arritur sa më parë 90 ditë import neto. Nevojitet miratimi i draft-ligjit për aksionin klimatik. Qëllimi i neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 duhet të integrohet në legjislacionin kombëtar dhe data e heqjes së qymyrit duhet të përfshihet në dokumentet kryesore. Procesi i përditësimit dhe miratimit të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës duhet të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Përditësimi i Udhërrëfyesit të Dekarbonizimit të Komunitetit Energjetik për të forcuar kohezionin rajonal në përgjigje të Mekanizmit të Përshtatjes së Tatimeve të Kufirit të Karbonit. Duhet të përfundojë miratimi i Ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë, së bashku me ndryshimet në Ligjin për efikasitetin energjetik dhe themelimin e Fondit për Efikasitetin Energjetik. Duhet të miratohet sistemi juridik i harmonizuar për lejet e projekteve, duke përfshirë transpozimin e plotë të Direktivës për Vlerësimin e Ndikimit mbi Mjedisin Jetësor. Kufijtë e Planit Kombëtar të Reduktimit të Emisioneve duhet të respektohen pa anulim.
Kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, Bojan Stojanoski, e mbylli mbledhjen me bindjen se Kuvendi do të vazhdojë me miratimin e propozim-zgjidhjeve ligjore sa më parë, si prioritet për vendin.