Presidentja meksikane propozon ndalimin e kandidimit për president dhe guvernator për personat me shtetësi të dyfishtë

Presidentja meksikane propozon ndalimin e kandidimit për president dhe guvernator për personat me shtetësi të dyfishtë

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka dërguar Kongresit një propozim për reformë kushtetuese që do t’u kërkonte personave që synojnë të kandidojnë për president dhe guvernatorë të shteteve të heqin dorë nga çdo shtetësi tjetër përpara se të regjistrohen si kandidatë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Propozimi synon të sigurojë që personat që mbajnë postet më të larta të zgjedhura në vend të kenë vetëm shtetësinë meksikane dhe t’i vendosin interesat kombëtare të Meksikës në plan të parë.

Sheinbaum tha se aktualisht Kushtetuta është e paqartë dhe se ka pasur guvernatorë me shtetësi të dyfishtë, duke theksuar se ata duhet të heqin dorë nga çdo shtetësi tjetër përpara se të bëhen kandidatë.

Nisma propozon ndryshime në nenet 82, 116 dhe 122 të Kushtetutës.

Ndryshimi i propozuar në nenin 82 parashikon që kandidatët për president duhet të jenë shtetas meksikanë nga lindja, të kenë baba ose nënë meksikane, të mos kenë shtetësi tjetër dhe nëse e kanë të heqin dorë prej saj përpara se të kërkojnë regjistrimin si kandidatë.

Gjithashtu, kandidatëve për president u kërkohet të kenë jetuar në Meksikë për të paktën 20 vjet.

E njëjta kërkesë lidhur me shtetësinë do të zbatohej edhe për kandidatët për guvernatorë të shteteve dhe për kreun e qeverisë në Mexico City.

Partia Revolucionare Institucionale (PRI) e kundërshtoi nismën, duke e quajtur atë diskriminuese dhe një hap prapa për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

PRI argumentoi se shtetësia e dyfishtë është një e drejtë dhe nuk duhet të shërbejë si bazë për kufizimin e të drejtave politike të shtetasve meksikanë. Partia gjithashtu hodhi poshtë argumentin se mbajtja e një shtetësie tjetër nënkupton besnikëri të ndarë.

PRI tha se meksikanët me shtetësi të dyfishtë janë “po aq meksikanë sa të gjithë të tjerët” dhe njoftoi se ligjvënësit e saj do të votojnë kundër nismës.

Meksika e njeh shtetësinë e dyfishtë për shtetasit meksikanë nga lindja që nga një reformë kushtetuese e vitit 1997, duke u lejuar atyre të ruajnë shtetësinë meksikane pasi marrin një shtetësi tjetër.

Nisma do të shqyrtohet nga Kongresi duke filluar nga 1 shtatori dhe do të kërkojë miratim kushtetues përpara se të hyjë në fuqi.

MARKETING