Presidentja e Tajvanit ndalon në SHBA, Kina kërcënon me hakmarrje

Presidentja e Tajvanit ndalon në SHBA, Kina kërcënon me hakmarrje

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy dhe Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, u takuan të mërkurën në Kaliforni, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Takimi vjen mes kërcënimeve për hakmarrje të Pekinit. Autoritetet kineze thanë se Shtetet e Bashkuara janë në një “rrugë të gabuar dhe të rrezikshme”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, së bashku me disa ligjvënës të tjerë, pritën në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan në Kaliforni, presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen. Në këtë tubim, zoti McCarthy premtoi se së bashku me Tajvanin do të punojnë për liri ekonomike, demokraci, qëndrueshmëri dhe paqe në Azi.

“Sot kishim një takim dypartiak. Republikanët dhe demokratët u bashkuan në një vend që është simbol i lirisë, përkushtimit dhe lidhjes, që tani është forcuar edhe më shumë me presidenten Tsai në mesin tonë”, tha ai.

Mbështetësit e Tajvanit mbushën hollin e hotelit ku po qëndronte presidentja tajvaneze, ndërsa përjashta ishin mbledhur përkrahësit e Kinës.

Vizita është jozyrtare, e përshkruar si një ndalesë tranziti, pas udhëtimit të presidentes tajvaneze në Amerikën Qendrore.

Analistja Patricia Kim nga Instituti Brookings thotë se ardhja e zonjës Tsai është përgjigje ndaj agresionit në rritje dhe në shumë fronte të Kinës.

“Jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe atë ekonomike dhe diplomatike. Vërehet një trysni dhe dëshirë në rritje e udhëheqësve amerikanë për të bërë më shumë, për të kundërshtuar agresionin e Kinës në ngushticën e Tajvanit dhe për të rritur mbështetjen amerikane për Tajvanin”, thotë ajo.

Tsai tha se takimi është një përkrahje e madhe për popullin e saj. “Mbështetja e madhe dhe e palëkundur e siguron popullin e Tajvanit se nuk është i izoluar”, tha presidentja Tsai.

Autoritetet kineze e quajnë vizitën e zonjës Tsai një akt provokues dhe u zotuan për hakmarrje kundër Tajvanit.

Pekini tha sot se Shtetet e Bashkuara janë në një “rrugë të gabuar dhe të rrezikshme”.

Me tone të ashpra, Kina kishte kritikuar edhe vizitën e vitit të kaluar në Tajvan të ligjvenëses demokrate Nancy Pelosi, ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Si kundërpërgjigje erdhën stërvitjet ushtarake të Pekinin pranë brigjeve të Tajvanit.

“Këtë herë pritet që përgjigja e Pekinit të mos jetë aq ekstreme sa verën e kaluar, kur u angazhua në stërvitje të paprecedenta ushtarake rreth ishullit. Mbtetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi këtë herë. Mendoj se pjesërisht varet nga mënyra se si do të portretizohet në media takimi në Kaliforni”, thotë ekspertja Kim.

Sipas saj, vizita në Kinë e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe Ish-Presidentit të Tajvanit, Ma Ying-jeou, mund të zbusë përgjigjen e Pekinit, që po mundohet të tregohet si një fuqi ndërmjetësuese, ndërsa zoti McCarthy dhe ligjvënës të tjerë amerikanë po e sigurojnë Tajvanin se ka miq në Uashington./ VOA

 

MARKETING