Presidenti kuban: Kuba ka “të drejtën absolute” për vetëmbrojtje kundër një sulmi të mundshëm amerikan
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij ka “të drejtën absolute dhe legjitime” për t’u mbrojtur kundër agresionit ushtarak amerikan, si dhe ka theksuar se çdo sulm ndaj ishullit do të rezultonte në një “gjakderdhje me pasoja të pallogaritshme”, transmeton Anadolu.
“Kërcënimet për agresion ushtarak ndaj Kubës nga fuqia më e madhe në botë janë të njohura. Vetë kërcënimi përbën tashmë një krim ndërkombëtar”, shkroi Diaz-Canel në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se Kuba “nuk përbën kërcënim dhe nuk ka plane apo synime agresive ndaj asnjë vendi”, përfshirë SHBA-në.
“Kuba, e cila tashmë po përjeton agresion shumëdimensional nga SHBA-ja, ka të drejtën absolute dhe legjitime për t’u mbrojtur kundër një sulmi ushtarak. Megjithatë kjo nuk mund të përdoret logjikisht apo ndershmërisht si justifikim për t’i imponuar një luftë popullit fisnik kuban”, shtoi ai.
Deklaratat erdhën disa orë pasi media amerikane Axios, duke cituar vlerësime të pakonfirmuara të inteligjencës amerikane, raportoi se Kuba kishte siguruar më shumë se 300 dronë ushtarakë dhe kishte diskutuar plane të mundshme për përdorimin e tyre kundër objektivave amerikane, përfshirë bazën detare në Gjirin Guantanamo, anijet ushtarake amerikane dhe ndoshta ishullin Key Ëest në Florida.
Sipas raportit, zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Kuba përbën një kërcënim të menjëhershëm, por inteligjenca tregon se Havana ka rritur diskutimet për luftën me dronë dhe ka kërkuar më shumë pajisje ushtarake nga Rusia.
Kuba e hodhi poshtë raportin e Axios, duke e quajtur “dezinformim kontradiktor”. Ministri kuban i Punëve të JAshtme, Bruno Rodriguez, gjithashtu shkroi në X se qeveria amerikane po “ndërton ditë pas dite një rast të rremë për të justifikuar një luftë ekonomike të pamëshirshme kundër popullit kuban dhe një agresion të mundshëm ushtarak”.
Kuba aktualisht po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike, si dhe mungesa ushqimi dhe karburanti. Kriza energjetike u thellua në janar pasi SHBA-ja rrëzoi Nicolas Maduron të Venezuelës, një furnizues kyç, si dhe kërcënoi me tarifa ndaj çdo vendi që shet ose furnizon naftë në Kubë.

