Presidenti i përkohshëm i Sirisë do të vizitojë Turqinë
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, nesër do të zhvillojë një vizitë zyrtare në kryeqytetin turk Ankara, raporton Anadolu.
Me ftesë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, takimi do të mbahet në Kompleksin Presidencial, njoftoi kreu i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun.
Liderët do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Siri në të gjitha dimensionet e saj dhe hapat e përbashkët që do të ndërmerren nga Ankaraja dhe Damasku për rimëkëmbjen ekonomike, stabilitetin e qëndrueshëm dhe sigurinë në vendin e shkatërruar nga lufta, tha Altun në X.
Bisedimet do të fokusohen gjithashtu në mbështetjen që mund t’i ofrohet administratës së re të Sirisë dhe popullit sirian në platforma shumëpalëshe, shtoi ai.
“Ne besojmë se marrëdhëniet Türkiye-Siri, të cilat janë rivendosur pas çlirimit të Sirisë, do të forcohen dhe do të fitojnë dimension me vizitën e Ahmed Al-Sharaa-s dhe delegacionit të tij”, vuri në dukje ai.
Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Administrata e operacioneve ushtarake të Sirisë njoftoi të mërkurën emërimin e Ahmed al-Sharaa-s si president të përkohshëm, shfuqizimin e Kushtetutës së vitit 2012 dhe shpërbërjen e parlamentit, ushtrisë dhe agjencive të sigurisë së ish-regjimit.