Presidenti i parë i Bosnjës, Izetbegoviq, përkujtohet me veprat e tij në 100-vjetorin e lindjes

Presidenti i parë i Bosnjës, Izetbegoviq, përkujtohet me veprat e tij në 100-vjetorin e lindjes

I ndjeri Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i Bosnjë e Hercegovinës së pavarur, u përkujtua në 100-vjetorin e lindjes së tij përmes librave që la pas, raporton Anadolu.
Izetbegoviq luftoi për të mbajtur gjallë vetëdijen fetare dhe kombëtare të boshnjakëve muslimanë në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe u burgos dy herë për këtë kauzë. Ai shkroi vepra, përfshirë “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, “Deklarata Islame”, “Arratisja ime drejt lirisë”, etj.
Në bashkëpunim me Fondacionin “Alija Izetbegoviq” me seli në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, tre shoqata nga Turqia, Gjermania dhe Bosnjë e Hercegovina u bashkuan për të përkujtuar Izetbegoviqin në 100-vjetorin e lindjes së tij.
Pjesëmarrësit u mblodhën në Fondacionin “Alija Izetbegoviq” dhe u shoqëruan nga vajza e Izetbegoviqit, Sabina Berberoviq.

“Ne donim të kuptonim idetë e tij si burrë shteti dhe mendimtar”

Emina Kiremitçi nga Shoqata e Grave Boshnjake “Zambak” që vepron në Ankara tha për Anadolu se ata që kanë lexuar librat e Izetbegoviqit u mblodhën në Sarajevë si pjesë e fazës përfundimtare të projektit.
“Ne donim të përkujtonim 100-vjetorin e lindjes së Alijas në vitin 2025 duke lexuar librat e tij. Menduam se kjo do të ishte mënyra më e mirë për të kuptuar idetë e tij si burrë shteti dhe mendimtar”, tha Kiremitçi.

Ajo theksoi se tre nga librat e Izetbegoviqit u lexuan si pjesë e projektit me një periudhë leximi dy-mujor të ndarë për secilin libër dhe më pas, pjesëmarrësit u lidhën në internet për të ndarë komentet dhe mendimet e tyre mbi librat.
Pasi vuri në dukje se ata i interpretuan librat duke marrë në konsideratë jetën e Izetbegoviqit dhe historinë e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Kiremitçi tha: “Mendoj se është një projekt i bukur. Besoj se do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm me pjesëmarrës të rinj”.
Kiremitçi tha se përveç Turqisë, në projekt mori pjesë edhe Shoqata “Insana” nga Gjermania ndërsa kontribut ka ofruar edhe Shoqata “Vezirin Dükkanı” nga qyteti Travnik i BeH-së.
Zineta Subashiq nga Shoqata “Insana” tha se projekti u zbatua përmes iniciativës së Shoqatës së Grave Boshnjake “Zambak” dhe shprehu kënaqësinë e saj të madhe për leximin e librave të Izetbegoviqit.
Kryetarja e Shoqatës “Vezirin Dükkanı”, Dzenana Durek tha se ata janë të kënaqur që u bashkuan pasi lexuan librat e Izetbegoviqit dhe se ata janë e vetmja shoqatë nga BeH-ja që merr pjesë në projekt.

– Alija Izetbegoviq lindi më 8 gusht 1925

Alija Izetbegoviq, një nga pesë fëmijët e çiftit Mustafa dhe Haba, lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac në BeH.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Izetbegoviqi kundërshtoi ideologjinë fashiste dhe më pas regjimin komunist dhe praktikat e tij. Ai u bë presidenti i parë i një Bosnje e Hercegovine të pavarur në atdheun e tij, për të cilin luftoi.
Gjatë gjithë jetës së tij, duke dëshmuar pushtimin e atdheut të tij dhe refuzimin e vazhdueshëm të identitetit musliman, Izetbegoviqi e vazhdoi luftën e tij në arenën intelektuale, duke shkruar artikuj dhe libra.
Ai ishte ndër themeluesit e “Muslimanëve të Rinj”, organizatë e përbërë nga studentë. Gjatë luftës që ndërmori për popullin e tij, ai u arrestua dy herë, në vitin 1946 dhe 1983.
Izetbegoviqi themeloi Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) në vitin 1990, e cila mbetet partia më e fortë boshnjake në vend edhe sot, dhe udhëhoqi popullin e tij në luftën e viteve 1992-1995 kundër serbëve në BeH.
Në vitin 1995 udhëheqësi boshnjak nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës, dhe me këtë marrëveshje, ai i la popullit të tij një shtet të njohur ndërkombëtarisht.
Izetbegoviqi dha dorëheqje nga pozicioni i tij në Këshillin Presidencial në vitin 2000 për shkak të problemeve shëndetësore ndërsa ndërroi jetë në Sarajevë më 19 tetor 2003./ Anadolu Agency

MARKETING