Presidenti i Napolit konfirmon qëndrimin e Contes pas spekulimeve për largimin e tij
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka hedhur poshtë spekulimet për një përçarje me Antonio Conten, duke riafirmuar besimin e plotë që ka tek trajneri pas komenteve të tij të ashpra pas ndeshjes kundër Bolognës.
Menjëherë pas takimit me drejtorin sportiv Giovanni Manna në Romë, De Laurentiis reagoi në rrjetet sociale për të mohuar zërat për një prishje marrëdhëniesh që pasuan kritikat publike të Contes ndaj skuadrës.
Presidenti deklaroi se ishte “krenar që ka në krah të tij, dhe në krah të Napolit dhe lojtarëve, një burrë të vërtetë si Antonio Conte”.
Ai më tej vlerësoi përkushtimin e Contes, duke shtuar se trajneri “është i aftë të sakrifikojë çdo sekondë të jetës së tij për profesionin, me bujari dhe përkushtim ekstrem”.
Gjithashtu, De Laurentiis theksoi se “ka ekzistuar gjithmonë një harmoni e veçantë mes meje dhe Contes”, transmeton Klankosova.tv.
De Laurentiis iu referua gjithashtu thashethemeve për të ardhmen e trajnerit, duke shkruar: “Lexoj në internet përrallën e dorëheqjes së Contes… e dini që mendimet nuk janë gjithmonë të sakta apo të pranueshme,” duke mohuar me insistim që trajneri po mendon të largohet.
Deklaratat e tij shuajnë çdo sugjerim se reagimi i ashpër i Contes pas humbjes me Bolognan ka shkaktuar përplasje me drejtuesit e klubit.

