Policia spanjolle kap sasinë rekord prej 30 tonë kokainë, vlera 800 mln euro

Policia spanjolle kap sasinë rekord prej 30 tonë kokainë, vlera 800 mln euro

Pamjet e operacionit të policisë duket sikur kanë dalë direkt nga një film hollivudian. Qese gjigante me kokainë të rreshtuara njëra pas tjetrës për rreth 100 metra.

Ngarkesa përbën një sekuestrim historik: 30 tonë pluhur i bardhë me një vlerë të vlerësuar në rrugë prej mbi 800 milionë eurosh.

“Argonian”, një anije mallrash që mbante flamurin e Ishujve Komorian, ishte nisur nga Freetown, kryeqyteti i Sierra Leones, dhe po lundronte drejt Bengazit të Libisë. Por hetuesit besojnë se anija po planifikonte të transferonte drogën në anije më të vogla për të lehtësuar shpërndarjen në Evropë, sepse “shkarkimi i një vëllimi kaq të madh kokaine në Libi nuk ka shumë kuptim”.

Ishte kur anija mbërriti në Ishujt Kanarie më 1 maj, autoritetet spanjolle nisën operacionin e tyre. Disa anije të “Guardia Civil” u nisën me shpejtësi drejt saj. Një helikopter që ofronte mbështetje ajrore filmoi ndërhyrjen.
Brenda anijes, droga as nuk ishte fshehur. Ambienti i saj ishte mbushur me plot 1,200 qese kokaine. Sipas Ministrit të Brendshëm spanjoll, ky ishte një operacion i paprecedentë. “Ky është sekuestrimi më i madh i kokainës në historinë e luftës kundër trafikimit të drogës në një operacion të vetëm”, deklaroi Fernando Grande-Marlaska.
Në bordin e anijes u gjetën disa pistoleta dhe pushkë automatike. Me mbërritjen e tyre në Ishujt Kanarie, 23 anëtarët e ekuipazhit – 17 filipinas, 5 holandezë dhe 1 surinamez – u arrestuan të gjithë.

MARKETING