Policia: Situatë e brishtë, por e qetë në komunat veriore

Policia: Situatë e brishtë, por e qetë në komunat veriore

Situata në komunat veriore po vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë deri në këto momente.
Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët thonë se ditën e hënë në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan grupe kriminale kanë shfaqur dhunë ekstreme, transmeton Telegrafi.

“Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”, thotë Policia.

Policia shton tutje, se protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, vijon reagimi.
Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.

Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.

Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
KFOR në reagimin e bërë për media ka kërkuar të mos përshkallëzohet më tej situata si dhe Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në veri.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thotë KFOR.

Protesta e serbëve në veri është duke vazhduar, ndërkaq po vazhdon prania e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në komunat veriore.

MARKETING