Plas te Gostivari, Xhelil Abdulla largohet pas mosmarrëveshjeve me pronarin e klubit!

Plas te Gostivari, Xhelil Abdulla largohet pas mosmarrëveshjeve me pronarin e klubit!

Në një zhvillim të papritur dhe zhgënjyes për tifozët e KF Gostivari, mbrojtësi Xhelil Abdulla është larguar nga klubi pas mosmarrëveshjeve me pronarin Enes Usta. Ky largim ka nxjerrë në pah një tjetër episod kritik ndaj politikës udhëheqëse të klubit dhe mungesës së respektit ndaj lojtarëve.

Mbrojtësi 32 vjecar me përvojë të madhe në futbollin elitar të Maqedonisë, Xhelil Abdulla, kaloi sezonin e kaluar te Gostivari dhe ishte ndër lojtarët e parë që u kontraktua nga pronari turk i klubit. Gjatë kohës së tij në klub, Abdulla jo vetëm që kontribuoi me cilësinë e tij në fushë, por gjithashtu u bë një lider i padiskutueshëm dhe mbajti shiritin e kapitenit. Ai ndihmoi ekipin duke shfaqur profesionalizëm dhe përkushtim të pashoq, duke u bërë një model për bashkëlojtarët.

Abdulla, i rritur te KF Shkëndija dhe me përvojë të gjatë edhe me ekipet si KF Shkupi dhe KF Renova, si dhe me karrierë ndërkombëtare, ishte një pasuri e madhe për Gostivarin. Megjithatë, kjo duket se nuk është vlerësuar siç duhet nga pronari i klubit, i cili ka shtuar një tjetër veprim të diskutueshëm në serinë e vendimeve të tij aspak profesionale.

Largimi i Xhelil Abdulla nxjerr në pah problemet e brendshme të menaxhimit të klubit. Mosrespektimi i lojtarëve dhe politika e gabuar udhëheqëse mund të kenë pasoja të rënda për të ardhmen e Gostivarit, duke rrezikuar stabilitetin dhe performancën e skuadrës.

Tifozët e klubit të ndikuar nga vendimet e pronarit turk të Gostivarit, jo rrallë herë kanë shprehur zhgënjimin e tyre përmes rrjeteve sociale, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme në qasjen e menaxhimit të klubit.

Mbetet të shihet vijimi i sezonit ku paralajmërohet se Enes Usta “vjedh” klubin qytetit dhe ndeshjet si vendas do t’i luajë në Shkup, derisa Gostivari në elitë do të mund të ndjek Besën e Dobërdollit.

MARKETING