Pesë të vra’rë dhe mbi 20 të plagosur në sulmet gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë

Pesë të vra’rë dhe mbi 20 të plagosur në sulmet gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë

Rusia dhe Ukraina të shtunën shkëmbyen akuza lidhur me sulme ajrore gjatë natës, të cilat kanë shkaktuar pesë viktima dhe kanë plagosur më shumë se 20 persona, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Pesë persona u plagosën në një sulm armiqësor me dronë gjatë natës. Mes viktimave janë një person në Taganrog dhe katër në Azov – mes tyre një fëmijë – pas goditjes së ndërtesave të banimit nga dronët”, tha në Telegram Yury Slyusar, guvernatori i rajonit Rostov të Rusisë jugore.

Slyusar tha se të gjithë të plagosurit janë shtruar në spital. Ai pretendoi se mbrojtja ajrore rrëzoi më shumë se 30 dronë mbi disa qytete të rajonit, përfshirë qytetin Rostov-na-Donu, si dhe mbi rrethet Azovsky, Myasnikovsky dhe Neklinovsky.

Në qytetin Azov, dronët e rrëzuar dëmtuan ndërtesa banimi, shtëpi private, objekte industriale, një shkollë, një qendër kulturore dhe automjete, tha Slyusar.

Veniamin Kondratyev, guvernatori i rajonit fqinj Krasnodar, tha se një sulm me dronë në rrethin Seversky dëmtoi një ndërtesë banimi dhe shkaktoi zjarre në dy objekte industriale në zonë.

Shtabi operacional i rajonit Krasnodar njoftoi më vonë se tre persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në rajon, duke shtuar se zjarret në objektet industriale janë shuar dhe se rreth 26.000 banorë aktualisht janë pa energji elektrike.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës pretendoi se ka kryer sulm gjatë natës ndaj rafinerisë së naftës Ilsky, e vendosur në rrethin Seversky.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar 645 dronë ukrainas mbi 13 rajone, si dhe mbi Detin e Zi, Detin Azov dhe Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Ministria më tej pretendoi se sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë goditën një qendër të të dhënave që “mundësonte funksionimin e internetit celular dhe mbështeste sistemet e komunikimit satelitor Starlink për Forcat e Armatosura të Ukrainës” në kryeqytetin Kiev.

Ajo pretendoi gjithashtu se goditi një objekt portual, një urë rrugore dhe një qendër logjistike në rajonin jugor ukrainas të Odesës, si dhe një anije mallrash “që transportonte furnizime ushtarake” në Detin e Zi.

 

– Sulmet në Ukrainë

Në kryeqytetin ukrainas, Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit tha se një dron goditi hapësirën mes një ndërtese banimi pesëkatëshe dhe një objekti tregtar në rrethin Solomianskyi të qytetit, ku u dëmtua edhe një ndërtesë zyrash.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se pesë persona u plagosën, duke shtuar se operacionet e kërkim-shpëtimit në zonë po vazhdojnë.

Më vonë, ai tha se një zjarr shpërtheu pranë ndërtesave të magazinave në rrethin Darnytskyi, ndërsa një zjarr tjetër shpërtheu në një dyqan pasi një dron ra në territorin e një qendre tregtare në rrethin Sviatoshynskyi.

Në rajonin më të gjerë të Kievit, dy persona janë plagosur në rrethin Boryspil, ku një ndërtesë deposh është përfshirë nga zjarri, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.

Ndërkohë, guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha se rajoni u përfshi nga një sulm “masiv” ndaj infrastrukturës civile, duke dëmtuar fasadat dhe dritaret e më shumë se dhjetë shtëpive private dhe ndërtesave të banimit, një kompleks hotelesh dhe restorantesh, si dhe ndërtesat administrative të një objekti biznesi në pjesën jugore të rajonit.

Në rajonin juglindor të Zaporizhzhias, dy persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur në kryeqytetin rajonal, sipas autoriteteve lokale.

“I kërkojmë presidentit (të SHBA-së) Donald Trump të zbatojë Aktin Lindsey Graham kundër Rusisë dhe të gjithë atyre që mbështesin financiarisht luftën e saj”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në platformën sociale amerikane X, duke komentuar sulmet e natës. Ai u bëri thirrje gjithashtu liderëve evropianë të vendosin sanksione shtesë ndaj Moskës.

Forca Ajrore e Ukrainës pretendoi se mbrojtja ajrore e vendit ka rrëzuar 134 nga 173 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës.

Verifikimi i pavarur i këtyre pretendimeve është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.

Moska dhe Kievi kanë shtuar sulmet gjatë muajve të fundit, duke shënjestruar qendrat logjistike, portet dhe infrastrukturën energjetike të njëri-tjetrit.

Të dyja palët mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht infrastrukturën civile, duke pretenduar se sulmet janë të drejtuara ndaj objektivave ushtarake ose objekteve të lidhura me aktivitetet ushtarake.

MARKETING