Përmbytjet vdekjeprurëse në Brazil, shkon në 126 numri i viktimave

Përmbytjet vdekjeprurëse në Brazil, shkon në 126 numri i viktimave

Jugu i Brazilit, pjesa më e madhe e të cilit është nën ujë, po përgatitet për shira të dendur këtë fundjavë pasi numri i të vdekurve nga përmbytjet  në ditët e fundit është rritur në të paktën 126 dhe një numër i madh njerëzish janë zhvendosur.

Shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin e Rio Grande do Sul javën e kaluar shkaktuan përmbytje të lumenjve që prekën afro dy milionë njerëz dhe plagosën 756, sipas të dhënave të fundit të publikuara të premten mbrëma nga Mbrojtja Civile.

Me 141 persona ende të zhdukur, autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet. Në 24 orët e fundit pothuajse është dyfishuar numri i personave që janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, duke shkuar në 411 mijë.

Prej tyre, më shumë se 71,000 ndodhen në strehimore, me autoritetet që përpiqen të ruajnë rendin pas raportimeve për vjedhje dhe dhunë.

Më shumë se 85,000 shtëpi janë dëmtuar nga shirat dhe përmbytjet.

 

MARKETING