Përfundon seanca dëgjimore, dy të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj mbrohen në heshtje
Dy të dyshuarit për vrasjen e S.S 89-vjeçarit në Bibaj të Ferizajt kanë vazhduar të mbrohen në heshtje edhe para Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, F.Ramadani dhe J.M, të cilët u arrestuan ditën e premte.
Avokati mbrojtës i të dyshuarve, Arben Isufi para mediave tha se ata janë mbrojtur në heshtje, ndërsa motivet e veprës penale ende nuk dihen.
“Është shqyrtuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Ne kemi bërë kundërshtimet mbi pretendimet për motivin e veprës penale. Ata janë mbrojtur në heshtje”, tha ai.
Ndryshe, një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, ku një person u vra në parkingun e sallës e dasmave “Fron Palace”, derisa brenda ishte duke u mbajtur një dasmë.
I dyshuari për vrasjen e S.S është një zyrtar policor me inicialet F.R, i cili sipas informacioneve të deritanishme, vrasjen dyshohet se e kreu me armën zyrtare, derisa ishte me një veturë civile dhe jashtë orarit të punës.
Major Qazim Reka, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Ferizajn, ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 19:25, në parkingun e sallës së dasmave.
“Sot me 16.08.2024, në ora 19:25, në rrugën “Engjell Zefi” në fshatin Bibaj komuna Ferizaj, në parkingun e sallës së dasmave “Fron Palace“ ka ndodhur një vrasje. Me të marrë informacionin, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet policore reaguese dhe hetuesit”, ka deklaruar Reka për Telegrafin.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët konfirmuan se i polici i dyshuar për vrasje është dorëzuar.
“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë. I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vet-dorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, njofton IPK.
I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, IPK ka njoftuar se lidhur me rastin ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar. Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48-orë, ndërsa prokuroria tashmë ka nisur hetimet.