Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë e vizituan UT

Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë e vizituan UT

Augusta Philibin, Atasheu për kulturë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, së bashku me Gazmend Ilazin, përgjegjës i programeve arsimore ndërkombëtare në këtë ambasadë, e vizituan dje Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës.

Në këtë njësi akademike, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve janë pritur nga Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, Prodekania për Shkencë e këtij fakulteti, Prof. Ord. Nora Halimi dhe shefja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte të njihen nga afër me ecurinë e ligjëratave që artistja e njohur Nicole Stager i zhvilloi prej 6-17 nëntor 2023 në kuadër të programit për mobilitet Fulbright Specialist, i financuar nga Departamenti i Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Nicole Stager u shpreh tejet e kënaqur për realizimin me sukses të ciklit të ligjëratave para studentëve dhe profesorëve të Programit studimor të Artit Figurativ.

Ajo veçoi angazhimin e profesorëve dhe përkushtimin e studentëve që ndoqën rregullisht ligjëratat dhe punëtoritë që u mbajtën në auditorët e këtij fakulteti dhe mbështetjen e ofruar nga Universiteti i Tetovës, gjatë qëndrimit të saj në këtë institucion.

Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve dhe drejtuesit e Fakultetit të Arteve theksuan se bashkëpunimet e tilla të suksesshme i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve midis institucioneve respektive dhe janë shtysë për t’u angazhuar edhe në programe dhe projekte të tjera arsimore-shkencore në të ardhmen.

MARKETING