Për të nëntën herë, Koçani marshon për drejtësi për viktimat e ‘Pulse’

Familjarët e viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” protestuan sërish në qytetin e Koçanit, përmes tubimit simbolik “Marshi për Engjëjt”. Ky marshim përkujtimor, i kthyer tashmë në një thirrje të vazhdueshme publike për drejtësi, u zhvillua në nder të 62 të rinjve që humbën jetën dhe afërsisht 200 të plagosurve nga ngjarja tragjike.
MARKETING
Marshi nisi nga Parku i Revolucionit dhe vazhdoi përgjatë institucioneve kyçe të qytetit – duke përfshirë Komunën, stacionin policor, Gjykatën dhe Prokurorinë Publike të Koçanit.
Në heshtje të plotë, të pranishmit mbanin në duar fotografi të viktimave, qirinj dhe pankarta me mesazhe që kërkonin drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Sipas familjarëve, procesi ligjor lidhur me tragjedinë ende nuk ka sjellë rezultate konkrete, ndërsa përgjegjësit nuk janë vënë ende para drejtësisë.