Për një javë dy aeroplanë përplasen me tufën e shpendëve

Për një javë dy aeroplanë përplasen me tufën e shpendëve

Në vetëm një javë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë regjistruar dy incidente të ndara ku avionë pasagjerësh janë përplasur me jato zogjsh, duke ngritur shqetësime për sigurinë ajrore.

Rasti i parë – fluturimi i “Wizz Air” drejt Bazelit

Incidenti i parë ndodhi të mërkurën rreth orës 18:00, kur një avion i kompanisë “Wizz Air” i tipit Airbus A320-232, në fluturimin nga Shkupi për në Bazel, u përplas me një jato zogjsh menjëherë pas ngritjes nga pista.

Sipas informacioneve, një zog më i madh ka goditur njërin nga motorët, duke shkaktuar vibrime për shkak të dëmtimit të tehëve. Edhe pse të dy motorët vazhduan të funksionojnë, kapiteni vendosi të kthejë avionin dhe të ulet në mënyrë të sigurt, duke ndjekur protokollet e sigurisë.

Pasagjerët u evakuuan normalisht, pa shpallje emergjente, ndërsa avioni mbeti i bllokuar në tokë për kontroll teknik.

Rasti i dytë – anulimi i ngritjes nga “Austrian Airlines”

Disa ditë më vonë, një tjetër avion i tipit të njëjtë, kësaj radhe i kompanisë “Austrian Airlines”, në fluturimin e mëngjesit për në Vjenë, u përball me një situatë të ngjashme.

Rreth orës 04:30 të mëngjesit, ekuipazhi ndërpreu ngritjen ndërsa avioni ndodhej në pistë, për shkak të pranisë së një jate zogjsh. Pas verifikimeve të nevojshme, fluturimi u vonua me rreth katër orë.
Zogjtë po adaptohen, masat nuk mjaftojnë

Koncesionari i aeroportit, TAV, ka konfirmuar se përdor mjete për frikësimin e zogjve – siç janë topat ajrorë me zë të lartë – por është vërejtur një rritje e numrit të zogjve në zonën e aeroportit, si dhe një adaptim i tyre ndaj këtyre masave.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), 90% e përplasjeve me zogj ndodhin pranë aeroporteve, kryesisht gjatë ngritjes ose uljes. Edhe pse motorët modernë janë ndërtuar për të përballuar goditje nga zogj të vegjël, përplasjet me zogj të mëdhenj ose me jato të tëra mund të shkaktojnë dëme serioze.

MARKETING