Pep: Unë admiroj skuadrën time, e merituam pikën kundër Arsenalit

Pep: Unë admiroj skuadrën time, e merituam pikën kundër Arsenalit

Pep Guardiola ka fituar më shumë ndeshje si trajner i Mançester Sitit ndaj Arsenalit (16) vetëm ndaj Bërnlejt (17).Ai e di se si mposhten “Topçinjtë”, por dje ish-nxënësi i tij Mikel Arteta i hapi shumë punë, duke konfirmuar edhe një herë se ai është rivali i tij kryesor edhe për këtë sezon. I ngacmuar në fund të barazimit dramatik në “Etihad” nëse ai i admiroi taktikat e Arsenalit, që në pjesën e dytë luajti me 10 vetë, tekniku katalanas tha:

“Unë admiroj skuadrën time. Arsenali ka personalitet, por personalitet kemi edhe ne”.
Rodri u pa të pësonte një dëmtim në gju, i cili u duk serioz, por Guardiola nuk ka ende shumë informacion për gjendjen e tij: “Nuk e di sesa serioz është. Do të presim dhe më pas do të shohim”. Një analizë të ftohtë të ndeshjes Guardiola nuk mundet ende që ta bëjë në këtë çast.
“Shumë gjëra ndodhën në ndeshje, ne duhet ta analizojmë atë më pas. Ne kemi krijuar një rivalitet të bukur me Arsenalin. Më parë ka qenë me Jyrgenin (Klopin), por tani është në një tjetër mënyrë. Ju e patë sesi e nisëm ndeshjen. Nisi të vonohej pas dy sekondave. Por edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë. Ata kanë shumë personalitet, por edhe ne e kemi. Gara është e hapur”. Ai mendon se skuadra e Sitit e meritoi barazimin. “Qytetarët” lanë pikët e para këtë sezon, por nuk është ky momenti për të bërë llogari për Guardiolën, ndërsa edhe në vigjilje të ndeshjes ai tha se nuk mund të flitet në këtë moment për favoritë dhe titull: “Janë në garë edhe 99 pikë. Kjo është jeta. Ne barazuam dhe e merituam. Kishte një dëmtim dhe ndërprerje të gjata. Ne bëmë një ndërtim të mirë të lojës dhe nuk është e lehtë kjo, sepse Arsenali është një skuadër shumë e mirë. Të jesh në gjendje që të shënosh dy gola kundër Arsenalit nuk është e lehtë. Ata u përpoqën që ta ngadalësonin pak lojën, por ne nuk u dorëzuam kurrë”.

Arsenali fitoi katër pikë kundër Mançester Sitit në Premier Ligë sezonin e kaluar, dyfishi i shumës që kishte arritur nga 15 takimet e mëparshme me “Qytetarët” (dy barazime, 13 humbje). Por përballja e këtij sezoni nis me një ndarje pikësh. Gjithsesi, sezonin e shkuar, “Topçinjtë” e mbajtën portën e pastër në të dyja takimet e Premier Ligës me Mançester Sitin, pasi kishin pësuar të paktën një herë në 16 takimet e fundit kundër “Qytetarëve” (40 gola në total).

MARKETING