Patinazhistë nga SHBA-ja dhe Rusia ishin në avionin që u përplas me helikopterin ushtarak
Rreth 15 patinazhistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në mesin e pasagjerëve në avionin që u përplas me helikopterin mbi lumin Potomak në Washington D.C, mbrëmjen e së mërkurës.
Shumë atletë, trajnerë dhe anëtarë të familjeve të patinazhistëve ishin në avion, kanë njoftuar drejtuesit e organizatës së këtij sporti në SHBA.
Po ashtu në avion kishte edhe qytetarë rusë. Disa media lokale ruse kanë raportuar se disa trajnerë dhe ish-kampionët botërorë të patinazhit Yevgenia Shishkova dhe Vadim Naumov, ishin në avion, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët nga SHBA-ja nuk kanë dhënë një numër të viktimave, por forcat e rendit kanë raportuar se 30 trupa janë nxjerrë nga lumi Potomak deri tani.
Avioni po barte 64 pasagjerë dhe anëtarë të stafit kur u përplas në ajër me helikopterin e ushtrisë amerikane pak pas orës 21:00 të mërkurën dhe ra në lumë.
Një burim anonim ka deklaruar se mund të jenë rreth 15 patinazhist që kanë qenë në avion. Komuniteti i patinazhistëve në SHBA e ka konfirmuar këtë.
Grupi po kthehej në shtëpi prej një kampi zhvillimor në Wichita, Kansas.
Në Wichita ishte organizuar kampionati i SHBA-së në patinazh nga 20 janari deri më 26 janar. Bashkë me kampionatin ishte organizuar edhe një kamp zhvillimor për patinazhistët e rinj.
Çifti rus ishin patinatorë të pensionuar që kishin fituar kampionatin botëror të patinazhit në vitin 1994. Po ashtu ato kanë marrë pjesë edhe në lojërat olimpike. Deri tani ata po punonin si trajnerë në SHBA.
Inna Volyanskaya, ish-patinatore nga ish-Bashkimi Sovjetik, ishte po ashtu në avion, ka raportuar agjencia e lajmeve ruse Tass.