Pas Bosnjës, Maqedonia mat forcat me Turqinë në ndeshje miqësore
Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë sonte do të zhvillojë një tjetër ndeshje kontrolluese me nivel të lartë, duke u përballur me Turqinë në stadiumin e Fenerbahçes, me fillim nga ora 19:30, raporton SHENJA. Pas barazimit pa gola ndaj Bosnjë e Hercegovinës, skuadra e drejtuar nga selektori Goce Sedlloski do të ketë përballë një kundërshtar të fortë, i cili tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. Turqia arriti të kualifikohet për turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada përmes ndeshjeve të plej-off-it, ku eliminoi Rumaninë dhe më pas mposhti Kosovën në duelin vendimtar.
Në anën tjetër, Maqedonia mbeti pa një vend në një kompeticion madhor, pasi u ndal nga Danimarka në gjysmëfinalen e plej-off-it. Megjithatë, sfida ndaj Turqisë paraqet një mundësi të mirë për stafin teknik që të testojë formën e ekipit dhe të nxjerrë përfundime të vlefshme para nisjes së edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Përfaqësuesja e vendit do të garojë në Divizionin B të kësaj gare, ndërsa përballja e sontme pritet të shërbejë si një matës i rëndësishëm i potencialit të skuadrës për sfidat që e presin në muajt e ardhshëm. /SHENJA/

