Partitë për vendimin lidhur me spitalet modulare, pushteti akuzon se po mbrohet Filipçe, opozita u përgjigj se të gjitha gënjeshtrat kanë marrë fund

Partitë për vendimin lidhur me spitalet modulare, pushteti akuzon se po mbrohet Filipçe, opozita u përgjigj se të gjitha gënjeshtrat kanë marrë fund

Vendimi i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP-NKOK) për ta mbyllur çështjen për furnizimin dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare të vendosura gjatë krizës së COVID-it, pa ndjekur penalisht asnjë person fizik apo juridik, edhe sot është temë e përplasjes ndërpartiake mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

MARKETING

Description of image

Nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet thonë se kreu aktual i PTHP-NKOK-ut, Islam Abazi, para largimit nga detyra e ka përmbyllur punën e tij për LSDM-në dhe BDI-në dhe e ka shpëtuar Venko Filipçen nga përgjegjësia për rastin e spitalit modular në Tetovë.

Sipas partisë, qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së e kishte ndryshuar me procedurë urgjente Ligjin për Ndërtim, në mënyrë që spitalet modulare të trajtoheshin si “pajisje urbane”, duke i mundësuar Ministrisë së Shëndetësisë të lëshonte vetë lejet.

Nga atje shtojnë se gjatë krizës së COVID-it spitalet ishin blerë si mallra, të cilat nuk mund të përdoreshin si objekte për veprimtari shëndetësore. Specifikimet teknike, ndërkaq, ishin përgatitur nga një person i emëruar drejtpërdrejt nga Venko Filipçe.

“Banka Botërore kishte kërkuar leje për vendosjen dhe përdorimin e spitaleve modulare, si dhe ekstrakt nga Kadastra, me qëllim që të dëshmohej qëndrueshmëria e projektit. Por, leje nuk mund të lëshonte as komuna, as Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, sepse procedura nuk ishte respektuar. Kadastra refuzonte t’i regjistronte spitalet, sepse ato ishin blerë si mallra dhe nuk kishte raport nga mbikëqyrja, në përputhje me nenin 74 të Ligjit për Ndërtim, i cili ishte i nevojshëm për regjistrimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Nga partia shtojnë gjithashtu se në rastin e spitalit modular në Tetovë, Artan Etemi, atëherë drejtor ekonomik i spitalit, ishte kundër vendosjes së këtij lloji objekti, sepse nuk kishte lidhje infrastrukturore, nuk kishte asnjë lloj mbikëqyrjeje dhe nuk kishin as mjete në dispozicion për të paguar lidhjet.

“Por, Venko Filipçe megjithatë vendosi që spitalet modulare të viheshin në përdorim. Pikërisht për këtë arsye, të akuzuarit thanë se Venko Filipçe duhet të ulej në bankën e të akuzuarve bashkë me ta”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) menjëherë doli me një kundërpërgjigje, duke theksuar se vendimi i Prokurorisë i ka fundosur të gjitha gënjeshtrat e Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së.

Keti Shterjova, në një konferencë për shtyp, kritikoi VMRO-DPMNE-në në pushtet dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, duke i akuzuar për pesë vite linçim politik ndaj kryetarit të partisë, Venko Filipçe.

“Për pesë vite përhapin gënjeshtra, konstrukte, shpifje, vetëm për t’u përballur politikisht me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe”, tha Shterjova.

Nga LSDM-ja theksojnë se gjatë pesë viteve të fundit as partia dhe as Filipçe nuk kanë ushtruar presion ndaj Prokurorisë Publike dhe se kanë respektuar pavarësinë e organeve të drejtësisë.

Ajo përsëriti edhe sot se spitalet modulare ishin blerë përmes mekanizmave të rreptë të Bankës Botërore, në kulmin e krizës më të madhe shëndetësore, me qëllimin e vetëm për të shpëtuar jetë kur kapacitetet spitalore ishin të mbingarkuara.

Shterjova tha se pas dy vitesh në pushtet dhe me të gjitha mekanizmat shtetërorë në dispozicion, VMRO-DPMNE-ja nuk kishte arritur të dëshmonte asnjë parregullsi.

Nga LSDM-ja thonë se pas pesë vitesh gënjeshtra, më e pakta që mund të bëjnë Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja është t’u kërkojnë publikisht falje familjeve të viktimave, dhimbjen dhe tragjedinë e të cilave, sipas tyre, i kanë përdorur pa mëshirë për pikë politike ditore.

MARKETING