Paradigma e Mobius-it: Të bëhesh Tjetri

Paradigma e Mobius-it: Të bëhesh Tjetri

Shkruan: Ali Maskan

Matematika, ndonjëherë, nuk është vetëm gjuha e numrave, por edhe e së vërtetës; ajo, pa vetdije, e vendos njeriun përballë pyetjeve më të lashta të filozofisë. Një prej këtyre strukturave është shiriti i Mobius-it, e cila, në pamje të parë, duket si një figurë e thjeshtë gjeometrike, por në të vërtetë mbart domethënie të thella mbi të vërtetën dhe iluzionin.

Merrni një shirit letre dhe bashkoni skajet e tij, sikur të doni të formoni një unazë. Megjithatë, përpara se t’i ngjitni, rrotulloni njërin skaj me 180 gradë (gjysmë rrotullimi) dhe vetëm pastaj bashkojini. Figura gjeometrike që përftohet quhet “shiriti i Mobius-it”

Vendosni një laps mbi sipërfaqen e saj dhe pa e ngritur dorën, filloni të vizatoni një vijë të drejtë përgjatë hapsirës qendrore të shiritit. Nëse vazhdoni pa ndërprerje, do të vini re se, edhe përkundër asaj se nuk jeni përpjekur të kaloni në anën tjetër të letrës, ktheheni në pikën nga ku e nisët duke i përshkuar të dyja faqet e saj, të cilat, në të vërtetë, janë vetëm një.

Kjo strukturë gjeometrike, që në shikim të parë duket se ka dy sipërfaqe, mirëpo në realitet ka vetëm një. Një vëzhgues që ecën mbi të mund të arrijë në pikën që fillimisht e konsideronte si “anën tjetër”, pa kaluar asnjë kufi. Sepse ndarja nuk gjendet te vetë objekti, por te mendja që e percepton atë.

Ndoshta edhe marrëdhënia e njeriut me jetën, historinë dhe të vërtetën është e ngjashme. Shiriti i Mobius-it na shtron një pyetje shqetësuese: A mundet që rruga në të cilën nisim për të mbrojtur vlerat tona, pas një kohe, të na shndërrojë në një armik të përbetuar, për të cilën më parë ne kemi luftuar për ato vlera?

Shtembërimet apo devijimet e së Vërtetës

Ky udhëtim, në të cilin shpesh e kemi të vështirë ta shohim dhe ta kuptojmë realitetin, na dërgon drejt njërës prej çështjeve më të lashta filozofike, në pyetjen se: Çfarë është e vërteta?

Në alegorinë e shpellës së Platonit, njerëzit i marrin hijet si një vetë realitet. Kanti pohon se njeriu nuk e përjeton botën ashtu siç është në vetvete, por përmes kategorive të mendjes së tij. Ndërsa Niçe argumenton se shumë pretendime për të vërtetën nuk janë gjë tjetër veçse interpretime që, me kalimin e kohës, kanë fituar fuqi. Në epokën moderne, Bodrijari shkon edhe më tej, duke pretenduar se njerëzit jetojnë gjithnjë e më shumë me shpërfaqjet e realitetit sesa me vetë realitetin.

Pavarësisht dallimeve mes këtyre mendimtarëve dhe epokave në të cilat jetuan, ata ndajnë një ide të përbashkët: njeriu nuk arrin kurrë të përqafojë tërësinë e realitetit, por ai arrin vetëm një pamje të saj. Prirja për ta konsideruar këtë pamje, si një tërësi e të vërtetës është një nga iluzionet më të hershme të njerëzimit.

Pikërisht për këtë arsye shiriti i Mobius-it është një metaforë aq e fuqishme. Kur mendon se ke arritur te e vërteta, papritur e gjen veten mbi një vlerë që më parë e kishe refuzuar. Jeta bëhet kështu një zinxhir iluzionesh, ku njeriu bisedon me të mirën ndërsa vallëzon me të keqen, ecën rrugën kah e drejta duke u pajtuar me të gabuarën, pajtohet duke u grindur, qesh duke qarë dhe qan duke qeshur.

Paradigma e Mobius-it: Ciklueshmëria e historisë

Kur shiritin e Mobius-it e shndërrojmë në një paradigmë, vërejmë se ajo përputhet në mënyrë të jashtëzakonshme me natyrën ciklike të historisë. Kjo perspektivë na ndihmon të kuptojmë se njerëzit dhe shoqëritë përballen vazhdimisht me të njëjtat probleme strukturore, mospërputhje dhe kundërthënie, ndërsa kjo gjendje ndodh në kohë dhe forma të ndryshme.

Çdo individ mendon se përvoja e tij është krejtësisht unike, ndërsa shpesh nuk e kupton se po jeton variante të ndryshme të të njëjtës përvojë ontologjike dhe historike. Çdo brez priret ta konsiderojë epokën e vet si të papërsëritshme, ndërsa krizat që përjeton, si të paprecedenta. Megjithatë, kur kalon koha dhe krijohet distanca historike, bëhet e qartë se shumë zhvillime që dukeshin krejtësisht të reja janë vetëm forma të reja të modeleve të vjetra.

Jeta e një qytetërimi, madje edhe ajo e një njeriu, mund të mos jetë aq e gjatë sa për të bërë disa rrotullime mbi shiritin e Mobius-it. Për këtë arsye, çdo brez, çdo shtet dhe çdo qytetërim priret ta shohë veten si fillimin dhe qendrën e historisë, pa e kuptuar se tashmë është përfshirë nga paradigma e Mobius-it.

Paradigma e Mobius-it në marrëdhëniet ndërkombëtare

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, projektuesit e sistemeve politike e kanë bërë paradigmën e Mobius-it, si pjesë të pandashme të mënyrës së tyre të të menduarit ndërsa mbi të ndërtojnë një pjesë të konsiderueshme të strategjive të tyre.

Ironia më e madhe është se njerëzit, gjersa besojnë se po luftojnë për vlerat e tyre, shpesh punojnë pa vetëdije për interesat e “tjetrit”. Një sistem i ndërtuar mbi këtë logjikë rrallëherë vihet në dyshim. Përkundrazi, sistemi prodhon individë me bindje të palëkundura dhe i kontrollon ata brenda këtij iluzioni.

Pothuajse, të gjitha luftërat dhe konfliktet që kemi parë në vitet e fundit janë ushqyer nga kjo çasje, gjoja se në emër të virtytit, mbi shiritin e Mobius-it. Lufta kundër dëshirave të shpallura si djallëzore, synimi për të arritur hirin hyjnor, për të vendosur paqen universale, qetësinë dhe sigurinë, shpesh fshehin një paradoks që njerëzimi nuk arrin ta kuptojë plotësisht.

Historia dëshmon se lëvizjet që nisën në emër të lirisë shpesh përfunduan në shtypje; sistemet e ngritura në emër të sigurisë prodhuan pasiguri; ndërsa përpjekjet për të mbrojtur identitetin dhe besimin përfunduan në degjenerim. Në të njëjtën mënyrë, shumë organizata, lëvizje apo struktura politike, legale ose ilegale, që besonin se luftonin për idealet e tyre, u shndërruan me kalimin e kohës në instrumente të strategjive të qendrave të tjera të pushtetit. Shumë prej tyre e përfunduan jetën, pa e kuptuar kurrë se kishin qenë luftëtarë, në luftëra të huaja dhe si përfaqësues.

Ata që e justifikojnë luftën: në emër të paqes, vdekjen: në emër të jetës, lotët; në emër të buzëqeshjes dhe trishtimin: në emër të gëzimit, e njohin shumë mirë dobësinë e perceptimit njerëzor. Njeriu që ecën mbi shiritin e Mobius-it, vazhdon të besojë me sinqeritet se po ecën përpara, ndërkohë që, pa e kuptuar, ka kaluar prej kohësh në anën që dikur e quante “tjetra”.

Përfundim: Të kuptosh se ekziston vetëm një sipërfaqe

Mësimi më i rëndësishëm i shiritit të Mobius-it, nuk është se historia përsëritet mekanikisht. Mësimi i tij i vërtetë është se njeriu mund të jetojë i bindur se po mbron vlerat e veta etnike, fetare apo ideologjike, pa e kuptuar se kjo bindje mund të jetë vetë një iluzion.

Njerëzit nuk gabojnë vetëm sepse mashtrohen nga të tjerët; shumë më shpesh gabojnë sepse janë tepër të bindur në drejtësinë e besimeve të tyre. Pikërisht këtu formësohet marrëdhënia midis së vërtetës dhe iluzionit. Iluzioni nuk është gjithmonë e kundërta absolute e së vërtetës:,ndonjëherë është vetëm një këndvështrim i saj.

Nëse e prisni shiritin e Mobius-it përgjatë vijës së saj qendrore, nuk do të përfitoni dy unaza të ndara, siç ndodh me një unazë të zakonshme. Përkundrazi, do të merrni një unazë të vetme, dy herë më të gjatë. Sipërfaqet, në fillim duken të ndara, mirëpo në fund, mbeten të lidhura edhe pasi priten. Ndoshta edhe marrëdhënia mes së vërtetës dhe iluzionit është pikërisht e tillë. Kur përpiqemi të zhdukim njërën, shpesh zbulojmë se edhe tjetra jeton brenda saj. Pikërisht kjo ndërthurje e bën njeriun rob të iluzioneve.

Në thelb, kjo është mënyra se si, duke përfituar nga kufizimet njohëse të vullnetit njerëzor, njeriu lidhet me jetën përmes një nyjeje të përmbysur me 180 gradë. Për këtë arsye, shiriti i Mobius-it, nuk është vetëm një model matematikor, por edhe një metaforë ontologjike e përvojës njerëzore.

Mundësia që të rinjtë të dalin në rrugë, në emër të lirisë, ndërsa në të vërtetë drejtohen nga një autokrat, apo grupe të organizuara që luftojnë për identitetin e tyre etnik ose fetar, ndërkohë pavetëdije shërbejnë si instrumente të një ideologjie rivale, nuk është aspak e papërfillshme.

Njeriu mund të ndjekë me përkushtim një ideal, pa e kuptuar se, në të vërtetë, po kontribuon në shkatërrimin e saj. Ndoshta një nga tragjeditë më të mëdha të qenies njerëzore është të përfundojë në pozitën e asaj që shpesh quhet “budalla i dobishëm” * (“useful idiot”), shprehje që zakonisht i atribuohet Leninit.

Ndoshta, historia e njerëzimit është pikërisht historia e atyre që besuan se po ecnin mbi dy sipërfaqe të ndryshme, ndërsa, në të vërtetë, kanë ecur gjithmonë mbi të njëjtën sipërfaqe. Kjo është ironia më e madhe e shiritit të Mobius-it: njeriu, edhe përkundër faktit se mendon që po ecën kundër tjetrit, realisht vet njeriu dalëngadalë shndërrohet në të kundërtën e tij, pra në të tjetrën.

Shënim:** Edhe pse shprehja “budalla i dobishëm” i atribuohet shpesh Vladimir Leninit, deri më sot nuk ekziston ndonjë dëshmi historike e besueshme që ta vërtetojë se ai e ka përdorur vërtet këtë shprehje.

MARKETING