Pakistani: Çdo përpjekje e Indisë për të devijuar ose ndalur rrjedhën e ujit do të konsiderohet akt lufte

Çdo përpjekje e Indisë për të devijuar ose ndalur rrjedhën e ujit sipas Traktatit të Ujërave të Indusit do të konsiderohet akt lufte, paralajmëroi sot Pakistani, një ditë pasi New Delhi pezulloi marrëveshjen e vitit 1960 pas një sulmi në rajonin e kontestuar të Kashmirit që vrau 26 njerëz, transmeton Anadolu.
Duke njoftuar masat reciproke pas një takimi të Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Islamabad, Pakistani tha se do të pezullojë Marrëveshjen e Simlas të vitit 1972 dhe do të mbyllë kufirin Wagah, aktualisht i vetmi vendkalim ligjor midis dy vendeve, me efekt të menjëhershëm.
Islamabadi gjithashtu pezulloi gjithë tregtinë me Indinë, përfshirë drejt dhe nga çdo vend i tretë përmes Pakistanit, dhe mbylli hapësirën ajrore për të gjitha linjat ajrore indiane.
Pakistani pasqyroi masën e Indisë, duke pezulluar të gjitha vizat e lëshuara në kuadër të Skemës së Përjashtimit të Vizave të Shoqatës së Azisë Jugore për Bashkëpunimin Rajonal.
“Pakistani kundërshton me forcë njoftimin indian për të mbajtur pezull Traktatin e Ujërave të Indusit”, thuhej në deklaratën zyrtare të Pakistanit.
“Traktati është një marrëveshje ndërkombëtare detyruese e ndërmjetësuar nga Banka Botërore dhe nuk përmban asnjë dispozitë për pezullimin e njëanshëm. Uji është një interes kombëtar vital i Pakistanit, një mjet shpëtimi për 240 milionë banorët e tij dhe disponueshmëria e tij do të ruhet me çdo kusht. Çdo përpjekje për të ndaluar ose devijuar rrjedhën e ujit që i përket Pakistanit sipas Traktatit të Ujërave të Indusit dhe uzurpimi i të drejtave të rrjedhës së poshtme, do të konsiderohet Akt Lufte dhe do të ketë përgjigje me forcë të plotë në gjithë spektrin e Fuqisë Kombëtare”, thuhet në deklaratë.
Deklarata thekson se “Pakistani do të ushtrojë të drejtën për të mbajtur pezull të gjitha marrëveshjet dypalëshe me Indinë, përfshirë, por pa u kufizuar në Marrëveshjen e Simlas, derisa India të heqë dorë nga sjellja e saj e manifestuar e nxitjes së terrorizmit brenda Pakistanit; vrasjeve transnacionale dhe mosrespektimit të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të OKB-së për Kashmirin”.
Pakistani dëboi gjithashtu këshilltarët ushtarakë nga misioni diplomatik i Indisë në Islamabad.