Pak vetura në rrugë, Shkupi “shpëton” nga lista e 10 qyteteve më të ndotura në botë

Ndotja e lartë e ajrit që është regjistruar mbrëmë në zonën e Shkupit është ulur mëngjesin e sotëm, tregojnë të dhënat nga instrumentet matëse në ueb-faqen ndërkombëtare IQAir.

Në orën 8 të mëngjesit të sotëm, kryeqyteti u rendit në vendin e 29-të sipas shkallës së ndotjes së ajrit në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Indeksi i ndotjes është 125, që do të thotë se ajri është i pashëndetshëm për grupe të caktuara të ndjeshme të popullsisë. Më të pranishmet janë grimcat helmuese PM2.5. Qyteti më i ndotur në botë këtë mëngjes është Accra, Ganë me një indeks 345.

Mbrëmë Shkupi ishte në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në botë, ku rreth orës 16:00 ishte në vendin e tetë, dhe rreth orës 17 në vendin e 9-të sipas shkallës së ndotjes.

Arsyeja e uljes së ndotjes në ditën e parë të Vitit të Ri gjendet në uljen e ndjeshme të trafikut në zonën e qytetit në orët e mëngjesit. Pasditen e djeshme trafiku ka qenë intensiv, i cili është ulur ndjeshëm me afrimin e mesnatës. /SHENJA/

MARKETING