Paçuku: Nevojiten reforma për të ulur largimin e të rinjve nga vendi
Në emisionin “Debat në Shenja”, Ylli Paçuku nga BDI, foli për sfidën e emigrimit të të rinjve dhe nevojën për reforma që do të ndikonin në përmirësimin e perspektivës së tyre në vend.
Paçuku tha se institucionet duhet të punojnë për të ulur nivelin e largimit të të rinjve, duke vlerësuar se kjo mbetet një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria.
Sipas tij, përballja me këtë fenomen kërkon reforma të brendshme dhe politika që krijojnë kushte më të mira për jetesë dhe zhvillim profesional të të rinjve.
Ai shtoi se procesi i integrimit evropian mund të ketë ndikim në këtë drejtim, duke përmendur se në disa vende është vërejtur kthimi i një pjese të qytetarëve pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Paçuku theksoi se edhe BDI-ja e sheh integrimin evropian si një nga mekanizmat që mund të kontribuojë në krijimin e perspektivës më të mirë për të rinjtë dhe në zvogëlimin e emigrimit.
“Ne duhet të mundohemi që ikja e të rinjëve të jetë sa më e ulët. Kjo do të ndryshojë. Mendoj se shteti duhet të punojë në reforma të brendshme. Rinia në shumë vende është kthyer pas antarësimit në BE, prandaj edhe BDI punon në këtë drejtim”, tha Paçuku.

