Osmani- Alijev: OSBE do të mbështesë zgjidhje që përmirësojnë gjendjen e popullatës së prekur nga konfliktet

Osmani- Alijev: OSBE do të mbështesë zgjidhje që përmirësojnë gjendjen e popullatës së prekur nga konfliktet

Statusi i dialogut ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë ka qenë tema kryesore e takimit të sotëm të kryesuesit të OSBE-së, ministrit Bujar Osmani me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev.

“Besoj se situata mundëson angazhim konstruktiv përmes platformave të ndryshme ndërkombëtare dhe bilaterale në mënyrë që të arrihet një zgjidhje dhe një marrëveshje paqësore e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë kësisoj edhe e qëndrueshme”, tha Osmani në takimin me Alijevin.

Ai tha se do të vazhdoj me këtë qasje të balancuar. OSBE-ja, me të gjitha sfidat me të cilat përballet, është ende një forum që është vërtet i interesuar për ta parë paqen në këtë rajon kyç, shtoi Osmani.

Kryesuesi Osmani tha se përmes aktiviteteve ekzistuese dhe të ardhshme, OSBE-ja do të mbështesë zgjidhjet që kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë dhe që përmirësojnë gjendjen e popullatës së prekur nga konfliktet.

“Isha veçanërisht i interesuar të dëgjoja për çështjen e integrimit të armenëve në Azerbajxhan dhe se si, pas shumë vitesh konflikti dhe tensioni, mund të rivendoset stabiliteti dhe besimi”, tha Osmani.

Ai kërkoi mbështetje nga Azerbajxhani, si një partner i vjetër i OSBE-së, për zgjidhjen e çështjeve më urgjente të Organizatës dhe në këtë mënyrë për t’u përballur më mirë me sfidat e sigurisë që prekin Kaukazin e Jugut, si dhe rajonin më të gjerë të OSBE-së.

Osmani sot do të ketë takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Xhejhun Bajramov dhe kryetaren e Kuvendit nacional të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova.

MARKETING