Opozita italiane i bën thirrje qeverisë të njohë shtetin e Palestinës

Opozita italiane i bën thirrje qeverisë të njohë shtetin e Palestinës

Partia opozitare italiane Lëvizja 5 Yjet tha se ka paraqitur një mocion parlamentar duke i kërkuar qeverisë të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës, transmeton Anadolu.

Mocioni i partisë i kërkon gjithashtu qeverisë të marrë një qëndrim të qartë në nivel ndërkombëtar për këtë çështje.

“Kryeministrja Giorgia Meloni nuk mund ta fshehë më kokën nën rërë”, thuhet në njoftimin e partisë.

Lëvizja 5 Yjet ka kritikuar gjithashtu qeverinë italiane se ka abstenuar në votimin e këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi një rezolutë që njeh Palestinën si të kualifikuar për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së.

Vende të tjera që abstenuan përfshijnë Gjermaninë, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa SHBA dhe Izraeli janë ndër vendet që votuan kundër rezolutës.

Javën e kaluar, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njoftuan se do të njohin shtetin e Palestinës më 28 maj dhe u kërkuan shteteve të tjera evropiane të ndjekin shembullin e tyre.

Tre vendet thanë se shpresonin që vendimi i tyre do të përshpejtonte përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën e Gazës.

144 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin Palestinën si shtet, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Indinë. Mirëpo, shtetin e Palestinës e njohin vetëm disa vende-anëtar të BE-së, si Suedia dhe administrate e Qipros Greke.

Lëvizja 5 Yjet tha gjithashtu se do të kërkojë të martën për vënien në rend dite të votimit për një mocion të tillë. Nëse miratohet nga parlamenti, mocioni do ta detyrojë qeverinë të njohë shtetin palestinez.

MARKETING