OKH Merhamet përfaqësohet në takimin e 2-të të Dijetarëve Ballkanik në Edirne

OKH Merhamet përfaqësohet në takimin e 2-të të Dijetarëve Ballkanik në Edirne

Nga 31 tetori deri më 2 nëntor 2025, në Edirne të Turqisë u mbajt “Takimi i 2-të i Dijetarëve Ballkanik” nën moton “Nën kupolën e nënqiellit tonë”, organizuar nga Fondacioni i Dijetarëve Muslimanë në bashkëpunim me Fondacionin “Mimar Sinan” dhe Platformën e Bashkëpunimit të Qyteteve Ballkanike, nën mikpritjen e Guvernatorit të Edirnesë.

Në takim morën pjesë dijetarë, udhëheqës fetarë dhe akademikë nga dymbëdhjetë vende të Ballkanit, si dhe përfaqësues të lartë të Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) dhe të Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë. Pjesëmarrësit përfshinin përfaqësues nga: Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Trakia Perëndimore, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia dhe Krimea.

Me ftesë të organizatorëve, morën pjesë edhe anëtarët e bordit të OKH “Merhamet”, Dr. Eljesa Ismaili dhe Mr.Bekim Sulejmani.

Në deklaratën përfundimtare, t ë lexuar nga prof. dr. Nasrullah Hacimuftuoglu, kryetar i Fondacionit të Dijetarëve Muslimanë, u theksua rëndësia e unitetit të umetit, forcimit të familjes dhe reagimit aktiv ndaj padrejtësive, veçanërisht ndaj gjenocidit në Gaza. Ai dënoi heshtjen e fuqive botërore përballë krimeve të Izraelit dhe kërkoi nga vendet islame të ndërmarrin masa konkrete politike, ekonomike dhe shoqërore për të dhënë fund tragjedisë humanitare.

Prof. Hacimuftuoglu theksoi se, pavarësisht Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila garanton dinjitetin dhe jetën e çdo njeriu, bota po tregohet indiferente ndaj gjenocidit të hapur në Gaza. Ai vlerësoi nismat si Flotilja Globale “Sumud” dhe Flotilja e Lirisë për Gazën, duke i cilësuar si shembuj të ndërgjegjes civile botërore që duhet të mbështeten më fuqishëm.

Gjithashtu, ai paralajmëroi për përpjekjet globale që synojnë dobësimin e strukturës familjare dhe të vlerave morale, përmes projekteve që imponojnë një “brez pa gjini, kombësi dhe fe”. Sipas tij, familja është një institucion moral dhe fetar që duhet mbrojtur nga ndikimet ideologjike që largojnë njeriun nga identiteti dhe vlerat e tij.

Në përmbyllje, prof. Hacimuftuoglu u bëri thirrje dijetarëve dhe institucioneve fetare në Ballkan që të jenë më aktivë në ruajtjen e paqes, shmangien e provokimeve dhe forcimin e solidaritetit ndërmjet komuniteteve, duke respektuar parimin e përgjegjësisë individuale dhe duke mos lejuar që veprimet e pak individëve të dëmtojnë imazhin e tërë shoqërive.

MARKETING