OKB: Rreziku i urisë në Sudan vazhdon ndërsa 19.5 milionë njerëz përballen me uri akute
Gati 19.5 milionë njerëz në Sudan po përballen me pasiguri akute ushqimore ndërsa rreziqet e urisë vazhdojnë në disa zona të goditura nga konflikti, paralajmëruan sot tre agjenci të OKB-së, ndërsa lufta civile në vend hyn në vitin e katërt, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO), Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe UNICEF-i thanë se dy nga çdo pesë njerëz në Sudan po përjetojnë nivele krize urie ose më keq, sipas analizës së fundit të Klasifikimit të Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC).
Edhe pse analiza e fundit e IPC-së nuk identifikoi zonat që aktualisht po përjetojnë uri, rreth 135 mijë njerëz po përballen me pasiguri katastrofike ushqimore në 14 pika të nxehta në Darfur dhe Kordofan Jugor ndërsa kushtet pritet të përkeqësohen gjatë sezonit të varfër qershor-shtator.
Më shumë se pesë milionë njerëz janë klasifikuar nën nivele emergjente urie ndërsa 14 milionë të tjerë janë në kushte krize, thanë agjencitë.
Deklarata paralajmëron për një krizë të përkeqësuar të të ushqyerit, me rreth 825 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç që pritet të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 7 për qind nga viti i kaluar.
“Uria vazhdon të kërcënojë popullin e Sudanit, pasi uria dhe kequshqyerja po kërcënojnë miliona jetë tani”, tha drejtoresha ekzekutive e WFP-së, Cindy McCain. Sipas drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu, për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve dhe urinë, rritja urgjente e ndihmës emergjente bujqësore për të rritur prodhimin lokal të ushqimit është e domosdoshme.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell paralajmëroi se pa veprime urgjente dhe akses të qëndrueshëm humanitar, “do të vdesin më shumë fëmijë”.
Agjencitë thanë se ndihma humanitare mbetet “kritikisht e pamjaftueshme krahasuar me shkallën e nevojave”, me vetëm 20 për qind të Planit të Nevojave dhe Përgjigjes Humanitare të Sudanit për vitin 2026 të financuar që nga prilli. Midis shkurtit dhe majit, partnerët e ndihmës synonin të arrinin 4.8 milionë njerëz çdo muaj, por vetëm rreth 3.13 milionë njerëz morën ndihmë në shkurt.
Ata shtuan se konflikti, zhvendosja dhe kufizimet e aksesit humanitar vazhdojnë të pengojnë operacionet e ndihmës, ndërsa shkatërrimi i përhapur i infrastrukturës ka kufizuar ndjeshëm aksesin në kujdes shëndetësor, ujë të pastër dhe kanalizime.
Ata bënë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe i kërkuan bashkësisë ndërkombëtare të rrisë fondet dhe aksesin humanitar për të parandaluar humbje të mëtejshme të jetëve.

