OKB: Mbi 16 mijë palestinezë jetojnë në kushte të tmerrshme në një shkollë të Gazës

OKB: Mbi 16 mijë palestinezë jetojnë në kushte të tmerrshme në një shkollë të Gazës

OKB-ja bën të ditur se më shumë se 16 mijë palestinezë të zhvendosur jetojnë në “kushte të tmerrshme jetese” në një shkollë në Deir al-Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), u tërhoq vëmendja nga lufta për mbijetesë e palestinezëve që u zhvendosën në Rripin e Gazës, shumë prej tyre shumë herë.

Në deklaratë ku përfshihen fotografi të shkollës ku jetojnë palestinezët thuhet se: “Më shumë se 16 mijë njerëz aktualisht jetojnë në këtë shkollë në Deir al-Belah. Familjet jetojnë në klasa, korridore dhe strehimore të improvizuara prej plastike. Kushtet e jetesës janë të tmerrshme, ku burimet janë të pakta. Zonat e higjienës personale janë të pamjaftueshme dhe materialet janë jashtëzakonisht të kufizuara”.

Në Rripin e Gazës, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, ku ushtria izraelite ka rreth 8 muaj që kryen sulme ajrore dhe pushtime tokësore dhe ka penguar në masë të madhe hyrjen e ndihmave humanitare duke sulmuar pikat kufitare, 2 milionë palestinezë që janë zhvendosur me forcë, shumica prej tyre më shumë se një herë, po përjetojnë mungesë uji, ushqimi dhe ilaçesh.

“Zhvendosja e detyruar dhe frika i shtyn njerëzit të kërkojnë strehim kudo që të munden, por nuk ka siguri në Rripin e Gazës. Familjet po ikin në zonat ku mungojnë furnizimet bazë dhe kushtet e mira të jetesës”, tha dje UNRWA-ja në një deklaratë.

Në deklaratë u shpërndanë fotografi të “maleve të plehrave” në zonat ku jetojnë palestinezët e zhvendosur në qytetin Deir al-Belah. “Ky është Deir al-Belah, ka një grumbull mbeturinash kudo që të shikoni”, thuhet në deklaratë.

MARKETING