OBSH: Nuk kemi hequr dorë nga zbulimi i origjinës së COVID-19

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se ata nuk kanë hequr dorë nga planet për të zbuluar origjinën e pandemisë COVID-19.

“Dua të jem shumë i qartë se OBSH-ja nuk ka hequr dorë nga plani për të identifikuar origjinën e pandemisë COVID-19”, theksoi ai.

Ai ka thënë se u ka shkruar dhe u ka folur liderëve të rangut të lartë kinez në disa raste, më së fundi vetëm disa javë më parë. Tedros theksoi se të gjitha hipotezat për origjinën e virusit mbeten të hapura derisa të dihet e vërteta.

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” njoftoi të dielën, më 26 shkurt, se Departamenti Amerikan i Energjisë arriti në përfundimin se pandemia filloi nga një rrjedhje nga një laborator kinez, gjë që Pekini e mohon.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se zyrtarët kinezë duhet të ndajnë më shumë informacion rreth COVID-19. Shumë nga kufizimet e rrepta të vendit janë hequr gjatë javëve të fundit, por numri i rasteve është rritur dhe disa vende tani po kontrollojnë udhëtarët nga Kina.

Zyrtarët e OBSH-së thonë se duan më shumë të dhëna për shtrimet në spital, pranimet në njësinë e kujdesit intensiv dhe vdekjet. Kërkojnë informacion edhe për vaksinat.

Shtetet e Bashkuara, Spanja, Franca, Koreja e Jugut, India, Italia, Japonia dhe Tajvani kanë prezantuar teste Covid për udhëtarët nga Kina pasi kanë frikë nga rikthimi i virusit.

 

MARKETING