OBSH-ja konfirmon 13 raste të Ebolës në një shpërthim të ri në Kongon lindore
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 13 raste të Ebolës janë konfirmuar në një shpërthim të ri në provincën verilindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Gjenevë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se rastet janë konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Biomjekësore (INRB) në Kinshasa, pas analizimit të mostrave të mbledhura në terren, të cilat fillimisht kishin rezultuar negative.
“Më 5 maj, OBSH-ja mori sinjalin për raste të dyshuara dhe dërgoi një ekip në Ituri për të mbështetur autoritetet shëndetësore të RDC-së në hetimin e shpërthimit dhe për të mbledhur mostra në terren”, tha ai.
Mostrat më pas u analizuan në Kinshasa dhe u konfirmuan pozitive me Ebola të enjten, shtoi ai.
Tedros tha se ky është shpërthimi i 17-të i regjistruar i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos që nga identifikimi i parë i virusit në vitin 1976, duke theksuar se vendi ka përvojë të gjerë në përballimin e sëmundjes.
Ekipet e OBSH-së tashmë po punojnë së bashku me autoritetet shëndetësore kongoleze në Ituri, ndërsa ekspertë shtesë të specializuar në parandalimin e infeksioneve, logjistikë, kujdes klinik dhe angazhim me komunitetin pritet të mbërrijnë në ditët në vijim, tha Tedros.
Ai gjithashtu njoftoi lirimin e 500.000 dollarëve nga Fondi i OBSH-së për Emergjenca për të mbështetur përpjekjet e reagimit.
Masat prioritare përfshijnë gjurmimin e kontakteve, mbikëqyrjen, testimet laboratorike, parandalimin e infeksioneve dhe zgjerimin e aksesit në kujdes klinik, tha ai.
Maria Van Kerkhove, drejtoreshë e agjencisë për përgatititje për epidemitë dhe pandemitë, tha se OBSH-ja është gjithashtu e gatshme të vendosë vaksina nëse është e nevojshme.
“RDC-ja ka përvojë me përdorimin e vaksinave më parë”, tha Van Kerkhove, duke shtuar se rezervat e vaksinave mund të vendosen paraprakisht përmes mekanizmave ekzistues ndërkombëtarë, varësisht nga lloji i virusit.
Ndërkohë, sipas përditësimit të fundit të Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të publikuar të premten, “rreth 246 raste të dyshuara dhe 65 vdekje janë raportuar, kryesisht në zonat shëndetësore Mongwalu dhe Rwampara. Katër vdekje janë raportuar te rastet e konfirmuara në laborator”.
Megjithatë, OBSH-ja nuk dha ende shifra zyrtare për rastet dhe vdekjet.
OBSH-ja tha se do të vazhdojë koordinimin me autoritetet dhe partnerët në rajon për të frenuar shpërthimin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

