Njësitet policore në Kosovë pranojnë fletarrestin për Artan Grubin

Njësitet policore në Kosovë pranojnë fletarrestin për Artan Grubin

Njësitë policore që merren me arrestimin e të kërkuarve ndërkombëtarisht, kanë pranuar gjatë ditës së sotme edhe fletarrestin nga ana e Maqedonisë së Veriut ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

Pra me këtë rast, Maqedonia e Veriut kërkon që në momentin që haset Grubi të arrestohet dhe të dorëzohet te autoritetet e rendit dhe drejtësisë.

Grubi po kërkohet për veprën penale të përvetësimit të pasurisë së paligjshme.

KALLXO.com mëson nga burime brenda policisë se fletarresti është pranuar gjatë ditës së sotme nga policia.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka publikuar fletarrestimet ndërkombëtare të lëshuara për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët besohet se janë larguar nga vendi.

Fletarrestimet janë lëshuar të mërkurën nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së Gjykatës Themelore, e cila më 17 dhjetor propozoi edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.

Grubi dhe Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, Grubi, si i dyshuari i dytë në këtë rast, ka mundësuar një procedurë të paligjshme për furnizimin me terminale (VLT), ndonëse ishte në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte autorizim për të organizuar lojëra elektronike të fatit në mënyrë të pavarur brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Grubi, i cili më 9 dhjetor u fut në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje, duke deklaruar se ndodhet jashtë vendit për një “vizitë private”. Ai ka shtuar për këtë vizitë e ka informuar edhe sigurimin e tij personal policor.

MARKETING