Një nxënëse u dha 25 mijë euro shokëve të klasës që kërcënuan se do ta rrahin vëllain e saj të sëmurë

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në zonën e Bit Pazarit në Shkup, ku një nxënëse e shkollës fillore ka dorëzuar shokëve të saj të klasës shumën prej 25.000 eurosh, pasi ata e kishin kërcënuar se do ta sulmonin fizikisht vëllain e saj të vogël.
MARKETING
Rasti është denoncuar në orët e para të mëngjesit të 9 majit. “Rreth orës 00:30, në SPB-Shkup është paraqitur një 52-vjeçar nga Shkupi, i cili ka raportuar se vajza e tij e mitur ka qenë për një kohë të gjatë viktimë e shantazhit nga dy bashkëmoshatarë të saj,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas kallëzimit, nxënësit e kishin kërcënuar vajzën se do të rrihnin vëllain e saj të vogël, i cili vuan nga probleme shëndetësore, nëse ajo nuk u jepte para. E frikësuar për sigurinë e vëllait, ajo kishte marrë në disa raste para nga shtëpia, duke ua dorëzuar gjithsej 25.000 euro.
MPB bën të ditur se janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.