Nënshkruhet memorandumi për bashkëpunim ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Shoqatës së juristëve
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe kryetari i Shoqatës së Juristëve, Goran Koevski, nënshkruan Memorandum për bashkëpunim.
Me nënshkrimin e Memorandumit, siç informojnë nga Gjykata Kushtetuese do të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet gjyqtarëve, këshilltarëve dhe anëtarëve të Shoqatës duke organizuar punëtori edukative për shkëmbimin e informacioneve rreth ligjit të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, roli i të cilave është vendimtar në ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Ky bashkëpunim realizohet në një periudhë kur Gjykata Kushtetuese shënon një jubile të rëndësishëm, 60 vjet nga themelimi i saj dhe synimi përfundimtar është avancimi i kulturës kushtetuese-juridike në vendin tonë, dhe Gjykata hap dyert për bashkëpunim edhe me profesionin, me avokatët”, tha Kostadinovski.
“Synimi ynë është identik, të dëgjojmë, të konsultojmë opinionin ligjor për sfidat e rëndësishme kushtetuese-juridike që na shfaqen në analizat e nismave të qytetarëve dhe kërkesave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave. Me Shoqatën e Juristëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, padyshim kemi një mision të përbashkët, të kontribuojmë dhe mbrojmë sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe parimeve demokratike dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Të kontribuojmë në shoqërinë tonë për të ngritur dhe rikthyer besimin e publikut në pushtetin gjyqësor, gjyqtarët dhe në profesionin juridik në përgjithësi”, theksoi Kostadinovski.
Kryetari i Shoqatës Koevski e përshëndeti nismën për bashkëpunim nga Gjykata Kushtetuese, dhe i prezantoi idetë për aktivitete të përbashkëta.
“Jam veçanërisht i nderuar që në debatet tona për tema jashtëzakonisht të rëndësishme dhe çështje sociale do të përfshijnë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, mendimi i të cilëve është më se i mirëpritur. Më gëzon fakti që mendimi juridik do të fitojë vlerë, kështu që përmes organizimeve të përbashkëta do të jepen përgjigje për pyetjet thelbësore që na prekin të gjithëve”, tha Koevski.
Paralajmërohet mundësi për pjesëmarrje më aktive të anëtarëve të Shoqatës në seancat publike dhe seancat përgatitore të Gjykatës për çështje me interes të përbashkët për të gjithë qytetarët.
“Gjyqtarët kushtetues janë të gatshëm të ndajnë përvojat e tyre, dilemat dhe sfidat me të cilat janë përballur ose përballen gjatë marrjes së vendimeve të tyre për çështje të veçanta kontestuese, kushtetuese-gjyqësore, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në takimet vjetore të juristëve të organizuar nga Shoqata ose ndonjë lloj tjetër ngjarje në një organizim të përbashkët”, paralajmëroi kryetari i Gjykatës, Kostadinovski.