Nënshkruhet marrëveshja, Maqedonia e Veriut merr hua 500 milionë euro nga Hungaria

Nënshkruhet marrëveshja, Maqedonia e Veriut merr hua 500 milionë euro nga Hungaria

Sot në Budapest u nënshkrua Marrëveshja e huasë me Bankën Eksport-Import të Hungarisë. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska nënshkroi marrëveshje në emër të Qeverisë dhe në përputhje me Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë me Hua nga Banka Eksport-Import të Hungarisë, shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar sipas Marrëveshjes së huasë për financim buxhetor dhe financim për qëllime të përgjithshme.

“Sot, me nënshkrimin e marrëveshjes, siguruam 500 milionë euro për përkrahjen e buxhetit, zhvillimit lokal përmes projekteve të komunave, si dhe për përkrahjen e ekonomisë. Kjo ishte shumë e nevojshme për ekonominë tonë, e cila në tremujorin e parë kishte aktivitet shumë të dobët ekonomik dhe kishte nevojë për masa që do të shkaktonin nxitje dhe përshpejtim të këtij aktiviteti. Gjithashtu, edhe realizimi i projekteve në komuna ishte domosdoshmëri, sepse edhe ato kanë ndikim pozitiv mbi aktivitetin ekonomik, ndërsa në mënyrë shtesë përmes tyre do t’i zgjidhim problemet e qytetarëve” theksoi ministrja e Financave pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë.

Siç theksoi ministrja, huaja sigurohet me kushte të favorshme, me afat shlyerjeje prej 15 vjetësh, me grejs periudhë 3 vjeçare dhe interes 3.25%. “Vendimi i Qeverisë për sigurimin e huamarrjes së jashtme të planifikuar me Buxhetin për vitin 2024 përmes huasë bilaterale nga Hungaria, në vend emetimit të euroobligacionit të ri, erdhi si rezultat i kushteve të favorshme të siguruara dhe kursimeve të realizuara vetëm në bazë të interesit. Norma e interesit që do të sigurohej kjo shumë në tregun ndërkombëtar do të ishte prej rreth 6% dhe ky është kursim i madh për buxhetin mbi këtë bazë, përkatësisht kursimi në nivel vjetor është rreth 14 milionë euro. Po ashtu edhe afatizimi jep avantazh dhe risk më të ulët nga nevoja e rifinancimit”, tha ministrja Dimitriska-Koçoska, e cila shtoi se, kushtet e tilla janë edhe rezultat i politikave që i udhëheq Qeveria, për të cilat siç theksoi ajo, javën e kaluar morëm konfirmim nga Agjencia Kreditore “Fitch”, që sipas saj ka rol të rëndësishëm për normat e interesit që i siguron vendi gjatë huamarrjes në tregjet financiare.

Sipas ministres, ajo që vlen të theksohet është se edhe pjesa e huasë që do të destinohet kompanive do të plasohet me kushte të favorshme, me ç’rast do të ndikojë në nisjen e një cikli investimesh në sektorin privat mbi 500 milionë euro me të cilat do të sigurohen norma më të larta të rritjes ekonomike.
Siç potencoi ajo, mjetet duhet të transferohen në llogaritë e vendit deri në fund të javës dhe më pas të fillojnë të realizohen sipas planit.

MARKETING