Nënshkruhen 4 marrëveshje bashkëpunimi midis Turqisë dhe Shqipërisë
Midis Türkiyes dhe Shqipërisë janë nënshkruar 4 marrëveshje në fushat e bashkëpunimit, komunikimit, arsimit dhe bujqësisë, raporton Anadolu.
Para konferencës për media në prani të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, janë nënshkruar marrëveshjet midis dy vendeve.
Presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për Thellimin e Partneritetit Strategjik të vendosur me krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Türkiyes dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në fushën e Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimit ndërmjet Türkiyes dhe Shqipërisë u nënshkrua nga kreu i Komunikimeve pranë Presidencës turke, Fahrettin Altun, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim i Republikës së Shqipërisë, Alteo Hysi.
Deklarata e synimit për bashkëpunim në fushën e sigurimeve bujqësore të mbështetura nga shteti ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë së Republikës së Türkiyes dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë u nënshkrua nga ministri turk Ibrahim Yumaklı dhe ministrja shqiptare Anila Denaj.
Ndërkaq, protokolli për Hapjen e Degëve dhe Programeve Akademike të Universitetit Teknik të Istanbulit në Shqipëri, ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Türkiyes, u nënshkrua nga kryetari i Këshilli të Arsimit të Lartë (YÖK), Erol Özvar, dhe ministrja shqiptare Ogerta Manastirliu.