Në Universitetin e Tetovës u përkujtua fillimi i ligjeratave të para

Në Universitetin e Tetovës u përkujtua fillimi i ligjeratave të para

Me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, vizitën në Muzeun historik në fshatin Poroj dhe me organizimin e akademisë solemne, Universiteti i Tetovës e ka përkujtuar sot përvjetorin e ligjëratave të para. Si sot, 28 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, filloi viti akademik në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Nga këndvështrimi i sotëm, vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës vlerësohet si një hap historik, i sjellë nga strukturat më vizionare të inteligjencies shqiptare në Maqedoni, me objektiv të zgjidhnin çështjen e arsimit sipëror në gjuhën amtare. Në rrugëtimin e gjatë, gati 30-vjeçar, UT-ja ka shënuar të arritura të konsiderueshme në fushën arsimore, shkencore dhe kulturore. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në shënimin e këtij përvjetori tha se Universiteti i Tetovës përgjatë kësaj periudhe e ka realizuar misionin e vet arsimor dhe është transformuar në universitet publik të suksesshëm. “28 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, në këtë datë të shënuar për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, në fshatin Poroj të Tetovës u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes banorëve dhe policisë, i cili përfundoi me një bilanc tragjik, me shumë të lënduar, të burgosur dhe rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe,  Abdylselam Emini. Ligjëratat e para në këtë tempull të diturisë filluan më 17 shkurt 1995, edhe pse rrethanat politike ishin mjaft të tendosura, ku u mobilizuan forca të armatosura për ta vrarë dijen, shkencën, përparimin dhe ardhmërinë e shqiptarëve në këtë vend. Por, kur populli e mbështeti këtë projekt madhor kombëtar dhe këtë ide fisnike, siç është Universiteti, u dëshmua se asnjë forcë nuk mund ta ndalë përmbushjen e kësaj ideje dhe jetësimin e këtij ideali. Populli i etur për dije, ishte i pranishëm edhe në Poroj edhe në Reçicë të Vogël në mbrojtje të Universitetit, edhe përkundër pranisë të madhe të forcave policore dhe të dhunës së ushtruar mbi shqiptarët nga pushteti i kohës. Kjo ngjarje shënon një kthesë historike për shqiptarët, me çka dhamë sprovën se jemi të paluhatshëm në kërkesat tona për arsimim në gjuhën amtare”, u shpreh Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ai, në fjalën e tij gjithashtu shprehu mirënjohje për pronarët e shtëpive, që vatrat e tyre i transformuan në auditorë për mbarëvajtjen e ligjëratave në Universitetin e Tetovës, sikundër i falënderoi me mirënjohje vëllazërore profesorët dhe studentët e gjeneratës së parë, të cilët e ngritën siparin e arsimimit dhe kërkimit shkencor në këtë vatër të dritës dhe diturisë.

Referatin për këtë datë të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, para auditorit e paraqiti historiani i njohur, Prof. Dr. Zeqirja Idrizi, i cili theksoi se 17 shkurti do të mbetet i shkruar me shkronja që mbajnë erë gjaku, pasi në ato ditë u dëshmua se qeveritarët e atëhershëm, as që kishin ndërmend që të bisedojnë me logjikën e botës së qytetëruar, për kërkesën e madhe të shqiptarëve që të mësohet në gjuhën shqipe.

“Ata që deshën ta ndryshonin këtë vullnet të pa përshkruar të popullit, të prirë nga inteligjencia me në krye Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, u përkujdesën që në vend të përkrahjes, në Porojin e gatshëm për ç’do sakrificë, të dërgojnë forca policore të armatosura gjer në dhëmb, me kërcënime e shantazhe, i vunë në sprovë të madhe studentët që ishin tubuar, ndërsa banorët e Porojit dhe Xhepçishtit kishin përgatitur shtëpitë për t’i shndërruar në mësonjëtore, kabinete e lokale ku do të zhvillohej ora e parë  e mësimit. Në një atmosferë tejet të tendosur, eprorët policorë i merrnin urdhrat nga lart, ndërsa në fytyrat e çdo polici vërehej gatishmëria e verbër për të hyrë në aksion, duke i zbatuar urdhrat, në prani edhe të një numri të madh të gazetarëve, të cilët ishin të vetëdijshëm se çfarë rreziku u kanoset në atë turmë, që do të jetë fatale për shumë veprimtarë të UT-së”, nënvijëzoi Prof. Dr. Zeqirja Idrizi. Duke iu referuar fillimeve të para të UT-së dhe kur i përkujtojmë ligjëratat e para të mbajtura nga profesorët e Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni, profesor Zeqirja Idrizi u shpreh se ende janë të freskëta kujtimet që na e sjellin pamjen e asaj kohe, kur Universiteti i Tetovës ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull i shenjtë i diturisë që po lindte në horizontin e dritës dhe diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të rinj.

Ceremonia solemne e shënimit të ligjëratave të para përfundoi me programin artistik të realizuar nga profesor Kastriot Tusha. Kjo datë ka edhe një koincidencë, po të njëjtën ditë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpalli Pavarësinë e shumëpritur nga gjenerata të tëra, që u sakrifikuan në altarin e lirisë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Me këtë rast, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, drejtuesve të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar në trojet etnike dhe kudo në botë ua uroi Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ai, po ashtu sot mori pjesë edhe në shpalosjen e pllakës përkujtimore “Mbrojtja e ligjëratave të para të UT-së” dhe inaugurimin e Sheshit të “Rezistencës” në fshatin Poroj të Tetovës.

Në fjalën e tij drejtuar qindra pjesëmarrësve në këtë aktivitet, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti deklaroi se, kemi emocion të veçantë kur jemi në fshatin Poroj, sidomos në këtë ditë e cila shënon 28-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para dhe sipas tij, nuk është vetëm kjo ditë në të cilën ne e kujtojmë me madhështi dhe krenari rezistencën të cilën pikërisht banorët e fshatit Poroj e bënë në mbrojtje të Universitetit. “Nuk ka takim, nuk ka manifestim në të cilën ne nuk e përmendim pikërisht këtë shembull të jashtëzakonshëm të banorëve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të kësaj ane. Më besoni se nuk ka universitet tjetër në botë i cili e ka këtë madhështi, nuk ka universitet tjetër në botë i cili e ka heroin e vet, i cili e ka dëshmorin e vet Abdylselam Emini. Prandaj, ne si udhëheqësi dhe ne si Universitet jemi të vendosur që të vazhdojmë rrugën të cilën e trasuan më parë, shumë vite më parë, të gjithë ata të cilët e filluan këtë projekt shumë të rëndësishëm kombëtar. E thamë edhe më herët, e përmendim në vazhdimësi mesazhin të cilin rektori ynë i parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani e dha para forcave policore”, u shpreh Rektori i UT-së. Në vijim të fjalës së tij, ai tha se: “Ne e vazhdojmë atë rrugë, e vazhdojmë rezistencën në arenën shkencore, në arenën e ballafaqimit të dijes dhe të edukimit të gjeneratave të reja. Universiteti i Tetovës u është mirënjohës të gjithë juve, për të gjitha ato që i keni bërë për Universitetin tonë, në veçanti jemi mirënjohës edhe veprimtarisë si dhe guximit të pashoq të profesor Nevzat Halilit, i cili në atë kohë edhe pse ishte pjesë e lidershipit politik nuk hezitoi që në çdo formë t’i del në mbrojtje dhe t’i përdor të gjitha mekanizmat për ta mbrojtur dhe për ta ngritur zërin e Universitetit sa më lartë. Universiteti i Tetovës ka qenë dhe do të mbetet i popullit dhe ne gjithmonë do të qëndrojmë në këtë rrugë”. Përurimi i kësaj pllake përkujtimore dhe Sheshit të “Rezistencës” përkoi me 28-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para të Universitetit  të Tetovës në fshatin Poroj, ku më 17 shkurt të vitit 1995, banorët e këtij fshati dhe qindra qytetarë të tjerë u bënë mburojë e gjallë në mbrojtje të gjeneratës së parë të Universitetit të Tetovës dhe të arsimit shqip. Kjo datë shënon një kthesë historike për rilindjen tonë arsimore, kulturore dhe kombëtare, duke na rreshtuar me kombet e përparuara të qytetërimit bashkëkohor.

MARKETING