Në Tetovë në vitin 2022 nga 365 ditë 108 ishin me ajër të ndotur
Raportet mujore të Sistemit Shtetëror për Monitorim Automatik të cilësisë së ajrit të ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2022 ka pasur 108 ditë me ajër të ndotur, përkatësisht tejkalim të vlerës kufitare të lejuar të grimcave PM10 prej 50 mikrogramë për metër kub. Sipas standardeve botërore shëndetësore, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.
Më së shumti, ose 24 ditë, ishte në dhjetor të vitit 2022, ndërsa në nëntor dhe janar 2022 kishte nga 21 ditë, dhe shkurt me 20 ditë. Sipas raporteve, vërehet se gjatë vitit të kaluar muajt e dimrit kanë qenë kryesisht ditë me ndotje të ajrit, ndërsa në pranverë dhe verë ka pasur disa muaj pa asnjë ditë të ndotjes së ajrit. Kështu, në maj, qershor, korrik dhe shtator nuk u tejkalua pragu i grimcave PM10 prej 50 mikrogramë për metër kub. Në gusht kishte një ditë kur ajri ishte i ndotur, ndërsa në tetor dy ditë, por edhe nëntë ditë kur nuk kishte matje të ajrit.
Specialisti i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë, dr. Ratko Davidovski, thotë se situata përsëritet çdo vit dhe se në dimër do të vazhdojmë të kemi ditë të ndotura përderisa nuk ka ndryshim rrënjësor në mënyrën e ngrohje.
Këto ditë në Tetovë ka edhe mjegull të dendur, e cila paraqet rrezik shtesë për njerëzit për shkak të pranisë së grimcave PM10.