“Në kërkim të thelbit” nga mendimtari turk, Ibrahim Kallën

“Në kërkim të thelbit” nga mendimtari turk, Ibrahim Kallën

MARKETING

Në botën e sotme, ku zëri ynë i brendshëm dobësohet gjithnjë e më shumë nga robëria e një epoke zhurme, Ibrahim Kallën në librin “Në kërkim të thelbit”, thërret në skenë thelbin tonë, veten tonë të vërtetë – vetë thelbin që dëshirojmë dhe ndjekim, duke na kujtuar veten sa herë që mendja prek mendjen, zemra prek zemrën.

MARKETING

Sample Image

Pjesë nga libri “Në kërkim të thelbit” nga Ibrahim Kallën botuar nga Logos-A:

Hyrje

Në epokën ku jetojmë, kërkojmë vetveten. Për diç përmallohemi, por nuk e dimë se për çfarë. Ende nuk jemi të vetëdijshëm se ky mall është për veten…Në një kohë kur gjithçka është bërë artificiale, plastike,

virtuale dhe dixhitale, të flasësh për thelbin e njeriut shihet si marrëzi. Njeriun nuk e përkufizojmë më me thelbin, substancën dhe të vërtetën, por me cilësi të jashtme që i mbivendosen, me pajisje, implante, avatarë, pseudonime, kode, algoritme. Teksa e mekanizojmë njeriun, përpiqemi t’i humanizojmë makinat. Mendojmë se përmes inteligjencës artificiale kemi krijuar gjëra “më të epërme se njeriu”. Nuk duam të flasim se çfarë janë këto “gjëra” dhe çfarë belarash mund të na sjellin. Sepse jetojmë në një botë ku

nuk sundon më thelbi, por pasqyrimi, pamja, dukja, sipërfaqësorja, e jashtmja. Na kërkohet që ta kërkojmë vetveten jo në vlerat e larta, në moralin e lartë, në artin e lartë, në arsyen, zemrën dhe shpirtin tonë, në kuptimin e ekzistencës, por në kënaqësira, në dëshira, në ciklet e pafundme të konsumit, në ato pak çaste fame, në çmendurinë për të mbledhur pëlqime dhe në gjendjet e pafundme të papërmbushjes që sugjestionojnë botët virtuale. Nuk duam në jetën tonë gjëra “mistike, të fshehta, të pashpjegueshme, të mjegullta”, si thelbi, të cilin e bëjmë misterioz, të fshehtë, të pashpjegueshëm e të mjegullt pikërisht sepse nuk duam të përballemi me të. Duam që gjithçka të jetë e qartë, e prerë dhe e kontrollueshme, si një

imazh me rezolucion të lartë në ekran. Të joshur nga kodet dhe algoritmet që i kemi krijuar vetë, zgjedhim të jetojmë në një botë prej qelqi. Dhe për më tepër, nuk duam që të na kujtojë njeri se sa e brishtë dhe e pambrojtur është ajo botë.

Për shkak se po e humbasim me shpejtësi thelbin tonë, na merret goja kur flasim për thelbin e njeriut, të individit, të kombit, të historisë apo të qenies. I zgjedhim fjalët pa i menduar dhe pa i ndier. Si përfundim, nuk çlirohemi dot nga belbëzimi mendimor. Llomotisim vazhdimisht, pa e ditur se pse e për çfarë, vetëm e vetëm që të mos flasim për atë që duhet folur. Për ta shuar zërin e brendshëm që përpiqet të na kujtojë vetveten, ia ngremë më shumë volumin zhurmës dhe këtë e festojmë si një fitore të re teknologjike.

Sado që të përpiqemi t’i ikim, thelbi nuk na lë të qetë. Na e kujton veten në dritën e parë të mëngjesit, në një lot të dhembshur, në një rënkim të thellë, në një sakrificë dhe përkushtim të madh, në qetësinë e natës, në zemrën e trazuar mes stuhisë, në zhurmën e dallgëve, në aromën e dheut të lagur nga shiu, në një çast kur mendja prek mendjen dhe zemra zemrën. “Më kujto dhe kthehu kah vetja. Mos harro: për çfarë përmallohesh, ai është thelbi yt.”

Kërkimi i thelbit është kthim i njeriut drejt së vërtetës, natyrës, substancës së tij. Është një përpjekje për të reflektuar dhe për të kujtuar se çfarë është thelbi i tij. Është kërkim i përgjigjes për pyetjen: “Kush jam unë dhe pse jam këtu?” Është guximi për të hedhur tutje përkufizimet e gatshme të modës. Është vetëdija se për të gjetur, duhet të kërkosh. Dhe për të ditur se çfarë të kërkosh, duhet të kesh vullnetin për t’u kthyer tek thelbi yt. Vetëm mbi këtë themel mund ta kuptojë njeriu qëllimin pse ekziston. Sepse gjithçka që bëjmë në këtë botë është pasqyrim i asaj që bartim në thelbin tonë. Çfarë mban ena brenda, ajo derdhet jashtë. Ajo që njeriu bart në thelbin, realitetin dhe brendinë e tij, i gdhend botën e jashtme. Kjo do të thotë se, kush dëshiron ta kuptojë thelbin e vet, së pari duhet të hedhë vështrimin rreth vetes. Të shohë se çfarë ka grumbulluar në jetë. T’i bëjë bilancin botës që i ka ndërtuar vetes. Të mendojë se çfarë jete ka zgjedhur. Dhe vetë, me ndershmëri e sinqeritet, le të vendosë nëse thelbi i tij gjendet aty apo jo. Pse e them këtë?

Sepse në këtë epokë të iluzioneve rrëzëllitëse, nuk është aspak e lehtë të jesh i ndershëm dhe i sinqertë, qoftë edhe ndaj vetes. Sepse në këtë epokë të konsumit të pakufishëm, gjithçka ka një çmim, dhe kushdo që nuk i përshtatet këtij rendi, jeton me frikën e ndëshkimit me karton të kuq. Teksa loja vazhdon me vrull, teksa tribunat janë plot dhe shitjet e biletave thyejnë rekorde, kush dëshiron të mbetet jashtë loje? Kush është ai i marrë që mund ta ndalë lojën? Askush nuk e ka guximin të pyesë se çfarë është kjo lojë ku jemi hedhur. Të vësh në pikëpyetje atë që po ndodh, është bërë krimi më i rëndë, tradhti ndaj shpirtit të kohës.

Ajo që “të çuditshmit” si ne e quajnë thelb, është tretur mes rutinës së përditshmërisë. Rregullat e rutinës po i bashkëshkruajnë njerëzit e mekanizuar dhe makinat e humanizuara.

Ata që përpiqen të mbeten njerëz, kërkojnë një degë për t’u kapur, një strehë për t’u strukur, një derë për të trokitur. Kodet dhe algoritmet kanë zëvendësuar të vërtetën e qartë që mund të na kujtojë vetveten. Cilindo program që të përdorim, gjithmonë na del përballë një tjetër ndërfaqe që na lë në prag. Kjo nuk është më as labirint. Edhe labirintet kanë (ose kishin) rregullat, parimet dhe nderin e vet. Labirinti ku kemi hyrë tani, papritur shndërrohet në rrugë të drejtë, rruga që e kujtuam të drejtë kthehet në shpellë, shpella në burg pa dalje – dhe askush nuk na thotë asgjë.

Për të gjetur rrugën, kemi nevojë për shenja. Kur’ani thotë se Krijuesi do t’ua tregojë njerëzve shenjat e Tij në horizonte dhe në vetet e tyre. Horizonti është vija që shtrihet nga kupa qiellore mbi kryet tanë deri në pafundësi. Kush e ngre kokën dhe vështron drejt horizontit, e kupton se e vërteta është diçka më e madhe, më e gjerë dhe më e thellë se vetvetja. Horizonti na i bart kufijtë e arsyes përtej egos.

Sekretet e hedhura në universin e qenies, si fara nën dhé, presin ditën kur do të dalin në sipërfaqe dhe do të japin fryt. Njeriu është qenie që kujdeset për tokën dhe për farën. Ai që kujdeset për horizontin e tij, di edhe se ku do të shkojë. Përgatitet për të arritur atje. Nuk qëndron në vetvete për t’u shuar në vetvete. Duke e kapërcyer egon dhe veten, shtrihet drejt vijës së pafund të horizontit. Aty sheh vendin e tij në rrethin e madh të qenies. Atëherë kupton se nuk është zot i universit, por pjesëmarrës në të, shok, mik, mbrojtës, ruajtës,

i besuar, bari i tij. Njeriut që arrin këtë nivel perceptimi, vetëndërgjegja i tregon një tjetër portë të së vërtetës. Syri i mendjes dhe i zemrës që vështron drejt horizontit, kësaj here kthehet drejt vetes. Fillon të kuptojë se thelbin nuk e ka tek vetja, por përtej. Sheh se horizontet dhe thelbet, e dukshmja dhe fshehta, e këtushmja dhe e përtejmja, e tashmja dhe përjetësia vijnë nga i njëjti burim. E kupton se qëllimi i vërtetë i endjeve nëpër horizonte është kthimi tek vetvetja, se kush nuk zbulon veten, më kot zbulon galaktikat miliona vite dritë larg. Sheh se çdo zbulim, i madh apo i vogël, është një rrugë, një mjet, një mundësi për të zbuluar vetveten. Sa më shumë shtrihet drejt horizontit, aq më shumë i afrohet thelbit. Sa më shumë e kupton thelbin e vet, aq më shumë bëhet fqinj i qenies. Vetëm atëherë e kupton se çfarë do të thotë të përmallohesh: të

përmallohesh do të thotë të kthehesh tek thelbi. Të dëshirosh atë që gjendet aty. Për atë që kemi në thelb përmallohemi. Për çfarë përmallohemi, ai është thelbi ynë.

Njeriu që zbulon thelbin e vet nuk mund ta përkufizojë veten si një ishull të vetmuar, si një ego absolute apo si një epsh të pangopur. Sepse rrethit të qenies që shtrihet mes horizontit dhe thelbit, i del në pah kuptimi vetëm kur merret si një tërësi. Horizonti e bart njeriun tek thelbi, dhe thelbi e bart sërish tek horizonti dhe e përtejmja. Udhëtimi ndërmjet horizontit dhe thelbit përfundon në botën e së vërtetës. Kjo është ajo që shpresohet dhe dëshirohet. Kthimi tek thelbi është shndërrim i thelbit. Kush nuk e përsos thelbin e vet, nuk mund ta mbajë të hapur dhe të ndriçuar horizontin e tij. Horizonti i një bote pa thelb është i ngushtë, i errët dhe mbytës. Ndërsa një thelb egocentrik pa horizont është i dënuar të zhduket brenda vetes. Prandaj ajo që

duhet të bëjmë është të lexojmë shenjat në horizonte e në thelbin tonë, të gjejmë e të nxjerrim farat e hedhura në universin e qenies dhe, duke e lidhur horizontin tonë me thelbin, e thelbin me horizontin, të përpiqemi të arrijmë në portën e së vërtetës.

Në librat Horizonte të hapura dhe Nën kupën qiellore, kam trajtuar fazën e parë të kërkimit për horizont dhe thelb. Jam përpjekur të kuptoj se ku synohet të arrijmë duke uendur në kufijtë e horizontit tonë. Në këtë libër – frymëzuar dhe udhëhequr nga pyetjet që më janë bërë – jam rrekur të nis një udhëtim nga horizontet drejt thelbit, vetes, origjinës dhe brendisë sonë. Kam dashur të tregoj se në ç’horizonte të mrekullueshme mund të na shpjerë ky udhëtim i brendshëm. Të nisësh një udhëtim të brendshëm nuk do të thotë të

mbyllesh në vetvete. Të kthehesh tek thelbi yt nuk do të thotë të ngresh lart egon tënde. Të përmallohesh nuk do të thotë t’u nënshtrohesh dëshirave të egos. Të përmallohesh dhe të kthehesh tek thelbi do të thotë të arrish vetëdijen për rrethin e madh të qenies ku bëjmë pjesë dhe për kopshtin e së vërtetës. Të endesh nëpër horizonte dhe të kthehesh tek vetja do të thotë të zbulosh horizontet e pafundme të botës tënde të brendshme. Të vështrosh drejt horizontit do të thotë të kthehesh tek thelbi yt, dhe të kthehesh tek thelbi yt

do të thotë të nisesh drejt horizonteve. Të kuptosh thelbin e horizontit dhe horizontin e thelbit është një hap thelbësor në udhëtimin për të rrokur kuptimin e qenies.

Të gjithë kemi një thelb, por çdo thelb është i veçantë, unik dhe personal. Udhëtimi drejt thelbit nuk do të thotë që çdo njeri të ngecet në një identitet, përkufizim, ndjenjë apo përfytyrim monoton, statik, uniform e standard. Përkundrazi, do të thotë që secili të zbulojë vetveten në udhëtimin e vet. Çdonjëri është i ngarkuar të niset për të gjetur thelbin e vet. Në këtë udhëtim do të takojmë njerëz, miq, shokë, bashkudhëtarë. Dhe në fund do të kuptojmë se përgjigjja më e saktë për pyetjen e urtarit “Vlen udha më shumë apo destinacioni?” është: “miku i udhës”. Atëherë do të kuptojmë se njeriu nuk është një ishull i vetëm, një subjekt i flakur në botë, një pemë e shkulur rrënjësh. Do të shohim qartë se njeriu mund ta zbulojë dhe ta përjetojë kuptimin e qenies vetëm duke mbetur vetvetja, por gjithnjë bashkë me të tjerët.

MARKETING