Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje!

Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje!

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot në takim me gazetarët deklaroi se procedura për ndryshime kushtetuese duhet të fillojë më së voni në qershor-korrik të këtij viti, për të përfunduar deri në nëntor, kur përfundon edhe skriningu nga BE-ja.

Xhaferi tha se nuk mendon se zgjedhjet do ta zgjidhin problemin e mospasjes së votave të mjaftueshme (80) për ndryshimet kushtetuese, por se kjo do ta komplikojë tërë çështjen. Për mënyrën e tejkalimit të problemit me shumicën, kryetari i Kuvendit thotë se qeveria dhe opozita duhet të ulen të bisedojnë.

“Zgjedhjet mund t’i shpall vetëm në momentin kur partitë politike bien dakord për shpërndarjen e Kuvendit ose kur mbaron mandati në 90 ditët e fundit. Në kushte të tjera, palët duhet të dalin me propozim të duhur”, tha Xhaferi.
Kuvendi pothuajse nuk ka kuorum për punë dhe Xhaferi thotë se po bën gjithçka për të krijuar kushte për punë dhe kjo është përgjegjësi e tij. Në lidhje me vendimin politik partiak nuk kam asnjë përgjegjësi”, tha ai.

Sipas Xhaferit, është detyrë e çdo deputeti të jetë në vendin e punës, pavarësisht nëse është shumicë apo opozitë.