Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt
Gjykata Themelore në Prishtini dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke pretenduar se vrasja e 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar.
Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale.
Vëllai i Ademajt ka kërkuar burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.
Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?
Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.

