Mucunski zhvilloi bisedë me shefin e ri të diplomacisë bullgare, Georgiev: Të forcojmë parneritetin
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pati bisedë telefonike me shefin e ri të diplomacisë bullgare, Georg Georgiev. Siç është raportuar në rrjetin X, Mucunski në bisedë ka shprehur vendosmërinë e tij për forcimin e partneritetit dhe avancimin e bashkëpunimit, transmeton Portalb.mk.
Mucunski gjithashtu e përgëzoi Georgiev për emërimin e tij në këtë pozitë.
“Kam pasur bisedën e parë telefonike miqësore me Georg Georgiev, ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Bullgarisë. E përgëzova për emërimin e tij dhe shpreha vendosmërinë tonë për të forcuar partneritetin, për të avancuar bashkëpunimin dhe për të kontribuar së bashku në stabilitetin rajonal dhe përparimin e përbashkët”, shkroi Mucunski në X.
Kujtojmë se Parlamenti bullgar votoi dje Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Rosen Zheljaskov.
Kryeministri i ri falënderoi partitë politike që morën pjesë në negociatat për formimin e qeverisë dhe prezantoi përbërjen dhe synimet e saj.
Qeveria përbëhet nga 19 ministra, dy prej të cilëve do të mbajnë postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa një nënkryetar do të jetë ministër pa portofol.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.