Mucunski: Politika jonë e jashtme bazohet në harmonizim me politikën e BE-së dhe partneritetin strategjik me SHBA-në

“Kushdo që mendon se një zgjidhje për një luftë dhe konflikt me implikime gjeostrategjike mund të gjendet pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një qasje joserioze dhe të pasinqertë ndaj konfliktit”, tha sot ministri i Jashtëm Timço Mucunski, pas takimit me homologun hungarez, Peter Szijjártó.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për qëndrimin e RMV-së për faktin se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është përmes bisedimeve mes Amerikës dhe Rusisë, Mucunski theksoi rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për paqe.
“Vitet e fundit të gjithë kemi folur për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të saj. Tani kemi një rezolutë ligjërisht të detyrueshme për të kërkuar paqen. “Kushdo që mendon se gjetja e një zgjidhjeje për një lloj lufte dhe konflikti të tillë, me implikime të tilla gjeostrategjike, kushdo që mendon se mund të arrihet pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një qasje joserioze dhe të pasinqertë ndaj këtij konflikti”, tha Mucunski.
Ai theksoi se politika e jashtme e vendit bazohet në tre konstante: anëtarësimi i plotë në NATO, përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara.