Mucunski-Hoxha: U theksua rëndësia e Korridorit 8, projekt me prioritet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski njofton se ka realizuar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Shqipëria, Ferit Hoxha.
Gjatë bisedës është riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në bisedë, konfirmuam kënaqësinë tonë të ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, duke theksuar gatishmërinë tonë për t’i përmirësuar ato më tej.
Diskutuam gjithashtu perspektivën evropiane të dy vendeve dhe aktivitetet e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe projektin e Korridorit 8, i cili përfaqëson një prioritet të përbashkët me rëndësi për të dy vendet, lidhjen dhe zhvillimin rajonal.
Theksova veçanërisht rëndësinë e pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, e cila përfaqëson një urë të rëndësishme miqësie dhe kontribuon më tej në thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Diskutuam gjithashtu për Liqenin e Ohrit, detyrimet që rrjedhin nga UNESCO, si dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të rajonit”, shkruan Mucunski në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha në profilin e tij në rrjetin social X shkruan se për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal.
“Në përvjetorin e tragjedisë në Koçan, përsërita solidaritetin tonë dhe angazhimin e fortë të Shqipërisë për të qëndruar pranë institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në momentet që kërkojnë solidaritet, mbështetje të ndërsjellë dhe bashkëpunim më të fortë rajonal”, shkruan Hoxha.

