MPB: Pesë të arrestuar për dhunë në familje brenda 24 orëve në Shkup

MPB: Pesë të arrestuar për dhunë në familje brenda 24 orëve në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 10 raste të dhunës në familje, ndërsa pesë persona janë privuar nga liria dhe me një person është zhvilluar bisedë zyrtare.

Sipas MPB-së, më 18 qershor në orën 20:30, në lagjen Karposh të Shkupit, policia arrestoi Z.S. (46), pasi ishte denoncuar se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 47-vjeçare në shtëpinë familjare.

Po atë ditë, një grua 29-vjeçare paraqiti kallëzim në SPB Shkup, duke deklaruar se për rreth gjashtë muaj kishte qenë viktimë e keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga partneri i saj jashtëmartesor, E.H.

Një tjetër rast u raportua nga një grua 55-vjeçare, e cila denoncoi se djali i saj, O.G., kishte kërcënuar atë dhe motrën e tij.

Ndërkohë, një grua 46-vjeçare njoftoi policinë se ishte sulmuar fizikisht nga ish-partneri i saj K.S. në zonën e komunës së Aerodromit, rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Po ashtu, një grua 41-vjeçare raportoi se ish-partneri i saj A.J. (37) e kishte shqetësuar vazhdimisht për rreth tre muaj. Sipas denoncimit, ai e kishte telefonuar në mënyrë të përsëritur, kishte lënë mesazhe në automjetin e saj dhe në dy raste ishte parë pranë shtëpisë së saj duke tentuar të vendoste kontakt.

MPB njofton se po ndërmerren masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rasteve dhe dokumentimin e tyre, pas së cilës do të pasojnë parashtresat përkatëse ndaj personave të përfshirë.

MARKETING