MPB me detaje të reja për vrasjen në Duqanxhik

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur detaje të reja në lidhje me përleshjen me armë zjarri që ndodhi ditën e djeshme në lagjen Duqanxhik të Shkupit, ku humbi jetën një 31-vjeçar.
MARKETING
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi më 25 prill 2025 rreth orës 14:00 në rrugën “Vojdan Çernodrinski”, në rajonin e Bit Pazarit. Policia informon se dy persona të paidentifikuar deri më tani, të cilët kishin mbërritur në vendngjarje me motoçikletë, hapën zjarr në drejtim të një personi që ndodhej aty.
Si pasojë e të shtënave, u plagos rëndë A.S. (31) nga Shkupi, i cili u transportua menjëherë në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza”. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë rreth orës 16:00.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur disa gëzhoja armësh zjarri, ndërsa është raportuar edhe për dëme materiale – përfshirë vitrina dyqanesh dhe automjete të parkuara në afërsi.
Hetimet janë në vijim për të identifikuar autorët dhe për të sqaruar motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.