Misajlovski: E ndërpremë marrëveshjen me kompaninë e jashtme për ushqim
Është ndërprerë marrëveshja me kompaninë e jashtme që furnizonte Armatën me ushqim, konfirmoi sot ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski.
“Marrëveshja e cila kishte shumë mangësi, është ndërprerë në mënyrë të njëanshme. Që vendimi të mos jetë politik si ministër i Mbrojtjes kam formuar Komision së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e përgjithshëm dhe Armatën i cili i shqyrton të gjitha procesverbalet dhe konstatoi shumë lëshime dhe së bashku me Armatën na dha rekomandim të ndërpritet marrëveshja. Marrëveshja është ndërprerë dhe rrjedhin të gjitha dispozitat ligjore, por më e rëndësishme për mua është që të mos cenohet gatishmëria luftarake dhe të jetë i sigurt çdo pjesëtar i Armatës”, tha Misajlovski në përgjigje të pyetjes për raportin e 100 ditëve të Qeverisë dhe shtoi se është konsultuar me sektorin juridik në Armatë dhe me një avokat për ndërprerjen e marrëveshjes.
Ai theksoi se më shumë se 60 pjesëtarë janë helmuar për shkak të ushqimit të pasigurt të servuar në kazerma dhe theksoi se autoritetet shëndetësore gjetën disa bakterie në sipërfaqet e punës që kompania e ushqimit nuk i ka mënjanuar gjatë vërejtjes së parë, sepse, siç tha, kjo marrëveshje duhej të ndërpritet.
“Sipas Marrëveshjes kolektive çdo pjesëtari në Armatë dhe Ministri i takon kompensim për ushqim. Meqenëse marrëveshja është ndërprerë çdo pjesëtari do t’i paguhet kompensim për ushqim. Në pjesën e Armatës ku duhet të ketë shujta tashmë e kemi rregulluar dhe do të gatuhet në Armatë siç ishte edhe para disa muajsh”, theksoi Misajlovski.
Në të ardhmen, siç tha, mund të zbatohen dy procedura – plotësisht të paguhet ushqimi në bazë të Marrëveshjes kolektive ose të shpallet një procedurë e re për kompani të re ushqimore për të cilën tashmë janë siguruar mjete në buxhet.
“Do ta zgjedhim atë që pjesa më e madhe e Armatës dhe të punësuarve do ta kërkojnë”, thekson Misajlovski.